GJKKO dënon me 1 vit burg kryebashkiakun e Kuçovës, Kreshnik Hajdari

Kryebashkiaku i Kuçovës, Kreshnik Hajdari është dënuar me 1 vit burg, dënim i cili është konvertuar në 150 orë punë komunitare.

Vendimi vjen pasi  Hajdari u mor i pandehur nga SPAK më 15 nëntor 2023 për akuzën e “Falsifikimit të Vulave, Stampave Ose  Formularëve” kryer në bashkëpunim (para zgjedhjeve vendore). Nga gjykimi i shkurtuar ai do të bënte 9 muaj burg, por vendimi u anulua, duke iu konvertuar në punë.

Vetë kryebashkiaku refuzoi të ketë falsifikuar dokumentet apo të ketë gënjyer në formularin e dekriminalizmit, një proces që bëhet për çdo kandidat përpara garimit në zgjedhje.

Por pavarësisht dënimit të tij, Kreshnik Hajdari do të vazhdojë të jetë kryebashkiak i Kuçovës.

Pas dhënies së vendimit, avokati i tij Theodhori Sollaku tha se ky vendim nuk do të ndikojë në ushtrimin e detyrës së tij.

“Gjykata dha përfundimisht një vendim dënimi, duke e dënuar me 150 orë në komunitet. Duhet të merret vendimi i formës së prerë. Se ne do të apelojmë. Sipas nenit 63 nuk figuron i denuar personi qe dënohet me pune ne komunitet”, tha ai.

Hetimet për kreun e bashkisë së Kuçovës nisën pasi koalicioni “Bashkë Fitojmë” i bëri të ditur Komisionit Qëndror të Zgjedhjeve se Hajdari kishte fshehur një dënim të formës së prerë në shtetin grek për “Kalim të Paligjshëm të Kufirit”, gjë të cilën ai e nuk e kishte treguar në formularin e dekriminalizimit. Komisioni kërkoi ndihmën e organeve të drejtësisë, të cilat morën konfirmin nga pala greke për dënimin e Hajdarit. Pas kësaj. SPAK çeli hetimet, të cilat u mbyllën më 15 nëntor.

Ndërsa një ditë para mbylljes së hetimeve, më 14 nëntor 2023, Ilirjan Celibashi. kreu i KQZ, vendosi që Kreshnik Hajdari të mos shkarkohet nga detyra për shkak se vepra e kryer nuk është subjekt i ligjit të dekriminalizimit.