GJKKO cakton arrest me burg për 8 personat e arrestuar gjatë operacionit në Call Center-in

Gjykata e Posaçme ka caktuar masën e sigurisë “arrest me burg” për 8 të arrestuarit e dy ditëve më parë gjatë operacionit kundër mashtrimeve me call center-at.

2 prej tyre do të qëndrojnë në arrest me burg me afat 20-ditor, ndërkohë që janë ende në kërkim 3 vëllezërit Alfred, Agim dhe Arjan Prekaj.

Çfarë ndodhi gjatë operacionit të SPAK dhe BKH

Një operacion i përbashkët i SPAK, Byrosë Kombëtare të Hetimit dhe autoriteteve italiane ka çuar në goditjen e një rrjeti të organizuar mashtrimi që operonte përmes një call center-i në një nga kullat në qendër të Tiranës

Sipas hetimeve, call center-i përdorej për të mashtruar shtetas të huaj, kryesisht italianë, duke i bindur të investonin shuma të konsiderueshme parash në platforma të rreme investimi dhe kriptomonedhash. Aktiviteti kriminal ishte i organizuar në mënyrë profesionale, me role të ndara dhe me staf që fliste disa gjuhë të huaja për të fituar besimin e viktimave.

Personat e përfshirë kontaktonin viktimat përmes telefonatave, duke u prezantuar si konsulentë financiarë ose përfaqësues të kompanive ndërkombëtare të investimeve. Fillimisht, viktimave u premtoheshin fitime të shpejta dhe të sigurta, ndërsa në platforma fiktive u shfaqeshin rritje artificiale të kapitalit.

Në momentin që qytetarët e huaj tentonin të tërhiqnin fitimet, atyre u kërkoheshin pagesa shtesë, tarifa apo investime të reja. Në realitet, paratë përfundonin në llogari dhe portofole virtuale të kontrolluara nga grupi kriminal, pa asnjë mundësi rikthimi për viktimat.

Gjatë kontrolleve janë sekuestruar kompjuterë, servera, celularë, dokumente, si edhe pasuri që dyshohet se janë përfituar nga aktiviteti kriminal.

Nën masë sigurie:

Remir Gjoligaj – arrest me burg

Endri Gjata – arrest me burg

David Qerimi – arrest me burg

Elis Merkaj – arrest me burg

Rentjan Peposhi – arrest me burg me afat 20 ditë

Odeas Kuqi – arrest me burg me afat 20 ditë

Hysen Xhepexhiu – arrest me burg

Klaudio Kaçupi – arrest me burg