“Kur e mendoj sot atë udhëtim, nuk do ta bëja më kurrë, ishte shumë i rrezikshëm. Ajo që më kujtohet është që shumë njerëz vdiqën, u mbytën… kishte shumë njerëz në atë varkë.”
Kështu rrëfen Anas Modamani, i cili si adoleshent iku nga lufta e përgjakshme civile në Siri për të gjetur siguri në Europë në vitin 2015. Ai përfundoi në Gjermani, ku ende jeton dhe tashmë është shtetas gjerman.
Ulur në një kafene siriane në lagjen Neukölln të Berlinit – një zonë shumëkulturore e kryeqytetit gjerman – Modamani shfaqet i buzëqeshur dhe i kujdesshëm për pamjen. Punon në fushën e teknologjisë dhe në kohën e lirë krijon përmbajtje për mijëra ndjekësit e tij në TikTok. Por fama e tij nuk është e re: vetëm pak ditë pas mbërritjes në Berlin, një selfie me kancelaren Angela Merkel u bë virale dhe u kthye në simbol të kohës.
Kjo javë shënon një dekadë nga vendimi historik i Merkel për të hapur kufijtë e Gjermanisë për dhjetëra mijëra refugjatë që po mbërrinin në Europë, duke ikur nga luftërat civile apo varfëria ekstreme.
Pamjet e njerëzve që ecin në autostrada me gjithë plaçkat në shpinë mbeten ndër më të fortat e Europës moderne. Dhe pasojat e asaj kohe ndihen ende sot, si në politikën gjermane, ashtu edhe në atë europiane.
“Wir schaffen das” – Por çfarë ndodhi më pas?
Qindra mijëra njerëz kërkuan të mbërrinin në Gjermani, simbol i qëndrueshmërisë ekonomike. Merkel i mirëpriti, duke deklaruar më 31 gusht 2015: “Wir schaffen das” – “Ne mund ta bëjmë.” Kjo frazë u kthye në shprehje të një filozofie më të gjerë, të njohur si “Willkommenskultur” – kultura e mirëseardhjes.
Por kjo trashëgimi mbetet ende e debatueshme. Partia e ekstremit të djathtë AfD (Alternative für Deutschland) ka shfrytëzuar ndjenjat anti-emigracion për të fituar popullaritet, duke u kthyer në opozitën më të madhe në vend.
Kancelari aktual, Friedrich Merz – i cili ndonëse nga i njëjti parti me Merkel (CDU), ka qenë gjithmonë kritik ndaj politikave të saj për emigracionin, ka shpallur reforma të mëdha: më shumë forca kufitare dhe refuzim të azilkërkuesve në kufi, një vendim që më vonë u shpall i paligjshëm nga një gjykatë në Berlin.
“Sigurisht që nuk e përballuam siç duhet. Prandaj po përpiqemi ta rregullojmë,” tha Merz në korrik.
Ndërkohë, rënia e regjimit të Bashar al-Asad në fund të vitit 2024 u prit me festime nga shumë sirianë. Kjo i dha mundësi bashkëkryetares së AfD-së, Alice Weidel, të kërkonte që sirianët në Gjermani të kthehen në vendlindje. Ajo shkroi në platformën X:
“Kushdo që feston një ‘Siri të lirë’ nuk ka më arsye për të qëndruar këtu. Duhet të kthehet menjëherë.”
“Momenti më i bukur i jetës sime”
Modamani mbërriti në Gjermani në fillim të shtatorit 2015, në moshën 17-vjeçare, pas një udhëtimi 30-ditor përmes Libanit, Turqisë, Greqisë, Ballkanit, Hungarisë, Austrisë e deri në Gjermani.
“Isha vetëm, pa familje, pa miq. Ika nga Siria sepse nuk doja të shkoja në ushtri… isha një fëmijë i vogël që nuk dinte asgjë për jetën,” tregon ai.
Pas deklaratës së Merkel më 31 gusht, mijëra vetë mbërritën në Gjermani – përfshirë edhe Modamanin, i cili përshkruan mbërritjen në Mynih si:
“momenti më i bukur i jetës sime.”
Banorët vendas kishin dalë për t’i përshëndetur, shpërndarë ushqim dhe ujë.
Pak ditë më vonë, gjatë një vizite të Merkel në një qendër refugjatësh në Berlin, Modamani bëri selfie-n e famshme me kancelaren – një imazh që përfundoi në faqet kryesore të mediave ndërkombëtare.
“Mendova se ishte një aktore ose yll filmi,” tregon ai. Nuk kishin gjuhë të përbashkët, por Merkel e kuptoi se ai donte një foto dhe pranoi.
“Kjo grua na vizitoi sepse e dinte që kishte shpëtuar shumë jetë dhe donte të shihte si po ishim.”
Shifrat që ndryshuan historinë
Në vitet 2015 dhe 2016, 1,164,000 njerëz aplikuan për azil për herë të parë në Gjermani. Nga janari 2015 deri në dhjetor 2024, 2.6 milionë kërkesa janë regjistruar, sipas Zyrës Federale për Migracionin dhe Refugjatët (BAMF).
Shumica e aplikimeve vinin nga Siria, Afganistani dhe Iraku – vende të përfshira në konflikte të gjata. Vetëm sirianët përbënin më shumë se një të tretën e kërkesave në dy vitet e para.
Pas 2016, numrat ranë, por u rritën ndjeshëm sërish në vitin 2022 pas pushtimit të Ukrainës nga Rusia.
Në dekadën 2015–2024, Gjermania ka qenë vendi më i madh pritës i azilkërkuesve në BE, duke përthithur më shumë se një të tretën e të gjitha aplikimeve (nga një total prej afro 8 milionë në të gjithë BE-në).
Nga mirëseardhja tek refuzimi
Këto shifra, të nxitura edhe nga filozofia e Willkommenskultur, kontribuan në rritjen e ndjenjave anti-emigracion, jo vetëm në Gjermani, por në të gjithë Europën.
Daniel Thym, profesor i së drejtës dhe migracionit në Universitetin e Konstanzit, thotë:
“Gjermania vinte nga shifra shumë të ulëta – vetëm 40-50 mijë në vit – dhe askush nuk e priste këtë përmasë.”
I pyetur nëse Merkel humbi kontrollin, ai përgjigjet: “Mendoj se po.”
Hannes Schammann, profesor i politikës së migracionit në Universitetin e Hildesheim, thekson se vendimi i Merkel ishte pragmatik:
“Ajo nuk kishte alternativë, sepse asnjë shtet tjetër europian nuk ishte gati të ndihmonte.”
Në një dokumentar të fundit të ARD, Merkel rrëfen:
“E kuptova që ishte një detyrë e madhe. Nuk thashë që mund ta bëja vetë, thashë ‘ne’ mund ta bëjmë, sepse shpresoja te ndihma e popullit.”
Fundi i “Willkommenskultur” dhe ngritja e AfD
Sipas Thym, kultura e mirëseardhjes përfundoi në fillim të 2016, pas sulmeve seksuale në masë në Këln gjatë natës së Vitit të Ri – ku shumë prej autorëve u raportuan si emigrantë. Kjo ngjarje solli tronditje publike dhe trysni të madhe ndaj Merkel.
Që nga ajo kohë, AfD ka fituar terren në mënyrë të vazhdueshme.