Gjendet i vdekur në një hotel në Berlin politikani i njohur gjerman

Një politikan i njohur gjerman është gjetur i vdekur të mërkurën në një hotel në Berlin. Policia ka nisur hetimet për të përcaktuar shkakun dhe rrethanat e vdekjes.

Bëhet fjalë për Hubert Aiwanger, 55 vjeç, zëvendëskryetar i landit të Bavarisë dhe ministër i Ekonomisë në këtë rajon të Gjermanisë.

Sipas një deklarate të policisë, ai u gjet pa shenja jete në dhomën e hotelit ku po qëndronte, në zonën Berlin-Mitte.

Policia dhe prokuroria kanë hapur një hetim për të përcaktuar shkakun konkret të vdekjes dhe rrethanat në të cilat ajo ka ndodhur.

“Qëllimi i hetimit është të përcaktohet shkaku i saktë i vdekjes dhe rrethanat që e shoqërojnë atë, si dhe të përjashtohet çdo përgjegjësi e mundshme e personave të tretë”, thuhet në deklaratën e autoriteteve. Deri më tani nuk janë dhënë detaje të tjera.

Sipas gazetës gjermane Bild, Aiwanger ndodhej në Berlin për të marrë pjesë në inaugurimin e një zyre të partisë së tij, por nuk ishte paraqitur në aktivitet për shkak se nuk ndihej mirë. Trupi i tij u zbulua më vonë nga policia në hotel.

Kryeministri i Bavarisë, Markus Söder, e cilësoi vdekjen e tij si një “tragjedi absolute”.

“Jemi të gjithë thellësisht të tronditur. Mendimet tona tani janë, para së gjithash, me familjen dhe fëmijët e tij”, u shpreh Söder.

Aiwanger ishte kryetar i partisë populiste Votuesit e Lirë (Freie Wähler), e cila ishte pjesë e koalicionit qeverisës në Bavari, të drejtuar nga Unioni Social Kristian (CSU) i Markus Söder.

Ai drejtonte degën bavareze të kësaj partie që prej vitit 2006. Nën drejtimin e tij, partia hyri për herë të parë në qeverinë e landit në vitin 2018, por nuk arriti të fitonte mjaftueshëm vende për të hyrë në Parlamentin Federal të Gjermanisë.

Në vitin 2023, Aiwanger ishte përfshirë në një polemikë në nivel kombëtar, pasi u publikuan raportime se, kur ishte 17 vjeç dhe nxënës shkolle, kishte shkruar një pamflet antisemit. Në të, kampi i përqendrimit Auschwitz përshkruhej si një “zonë argëtimi”.

Ai mohoi se e kishte shkruar vetë pamfletin, megjithëse pranoi se kishte pasur “një ose disa kopje” të tij në çantën e shkollës. Aiwanger kërkoi falje për çështjen, por refuzoi të jepte dorëheqjen.

Sipas mediave gjermane, politikani kishte dy fëmijë dhe jetonte me partneren e tij.