Kryetari i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike, Gazment Bardhi, nuk e mbështet një rikthim të Lulzim Bashës në krye të partisë.
Në një intervistë për “Now me Erla Mehillin”, në Euroneës Albania, Bardhi tha se ndonëse ka qenë mbështetësi i tij, tani nuk e mbështet në rrugën që ka marrë pasi mendon se është një rrugë e gabuar e cila do të dëmtojë Partinë Demokratike dhe interesat e demokratëve.
Më tej, ai theksoi se për arsye njerëzore di disa të vërteta për Lulzim Bashën të cilat për momentin i mban të fshehta.
“Kam një lloj frenimi në aspektin njerëzor ndaj Lulzim Bashës sepse kam qenë bashkëpunëtori i tij më i ngushtë. A e mbështes në këtë rrugë që ka hyrë? Jo nuk e mbështes. Mendoj që është një rrugë e gabuar, mendoj që është një rrugë që e dëmton Partinë Demokratike të Shqipërisë, dëmton interesat e demokratëve.
Baltën unë e përball me të vërteta të cilat për momentin i mbaj të fshehta dhe s’ka lidhje me kartë rezervë, por ka lidhje me objektivin. Objektivi im dhe beteja ime është me Edi Ramën. Nëse dikush ka betejë me mua, të mos fshihet pas shkrimeve të rreme, të cilat unë e di se kush i shkruan. Të dalë me zë dhe me figurë që të kem unë mundësi t’i përball me të vërtetat”, u shpreh Bardhi.