Gazetarja nxjerr faktet nga SPAK për Erion Veliajn: Krahu i tij i djathtë i dërgoi email për inceneratorin Klodian Zotos

Kërcënimet ndaj gazetares Ola Xama tërhoqën vëmendjen e disa organizatave europiane si dhe pati një reagim të fortë nga sekretari i Federatës së Gazetarëve Evropianë, Ricardo Gutierrez.

Kryebashkiaku Veliaj e kishte cilësuar atë një “vrasëse me pagesë” pasi ajo kishte bërë një shkrim me titull “Projekti i inceneratorit të Tiranës u propozua nga Erion Veliaj, thotë SPAK”.

Por pse e sulmoi gazetaren e Birn-it Veliaj? Në një reagim në Facebook, gazetarja Ola Xama shkruan se gjatë fundjavës ka nisur ndaj saj në rrjetet sociale një fushatë sulmesh e shpifjesh. Ajo thekson se ka sjellë vetëm fakte nga dosja e SPAK, i cili pohon se procedura e inceneratorit të Tiranës kishte problemed he Ahmetaj nuk mbrojti buxhetin e shtetit nga shkeljet e Veliajt.

“Dosja vijon me skemën e financimit të koncesionit, ku del se krahu i djathtë i Veliajt i dërgon Klodian Zotos në emailin personal propozimin e planit financiar të inceneratorit të Tiranës” shkruan gazetarja e cila e mbyll reagimin e saj duke theksuar se faktet kanë më shumë rëndësi se çdo fyerje dhe sharje.

Postimi i plotë:

Pasi më quajti “njeri që nuk njoh turpin” dhe “killer me pagesë”, i mbylli mesazhet kërcënuese me përshëndetjen “Fundjavë të mbarë”. Në fundjavë, gazetat që i shërbejnë, më sulmuan duke më quajtur… “killer me pagesë”. Fundjava vazhdoi me një fushatë sulmesh e shpifjesh ndaj meje në mediat sociale dhe forumet online nga një ushtri komentuesish të koordinuar.

Pse më sulmoi Veliaj? Artikullin tim për BIRN, unë e nisja me faktin se në janar 2016 Kryebashkiaku Veliaj i kërkoi Ministrisë së Financave miratimin e procedurës PPP për menaxhimin e mbetjeve në Tiranë sipas studimit të IFC-së. Në artikull, duke sjellë vetëm fakte nga dosja e SPAK, informova se në vend të projektit të IFC-së për landfill, në fund Veliaj vendosi për incenerator me PPP, për miratimin e të cilit tejkaloi kompetencat.

Por kaq nuk e justifikon ashpërsinë e sulmit ndaj meje. Mendoj se alarmi i Veliajt ka të bëjë me një tjetë fjali që citohej nga dosja e SPAK: “Pra, siç mund të konstatohet personi nën hetim Arben Ahmetaj nuk e pengon këtë procedurë pavarësisht problemeve që ajo paraqiste”. SPAK pohon se procedura e inceneratorit të Tiranës ka probleme dhe Ahmetaj, si ministri ‘gardian’, nuk mbrojti buxhetin e shtetit nga shkeljet e Veliajt.

Dosja vijon me skemën e financimit të koncesionit, ku del se krahu i djathtë i Veliajt i dërgon Klodian Zotos në emailin personal propozimin e planit financiar të inceneratorit të Tiranës! Nëse pronarë të inceneratorit nuk kanë qënë Zoto dhe Mërtiri përse emaili duhet t’i nisej Zotos? Përse te ‘klodianzoto@yahoo.com’ dhe jo te adresa zyrtare e “Integrated Energy Bv Spv”? A lejoi bashkia që bashkëortaku i saj në kompaninë “Eco Recycling” t’i shiste aksionet te “Integrated Energy” pas miratimit të kontratës të inceneratorit? Përse kompania nuk funksionoi më asnjë ditë pas ortakërisë dhe investimet e hedhura aty nga paratë publike humbën? A është bashkëadministrator te “Eco Tirana” (që ka 50% të aksioneve në “Eco Recycling”) i njëjti person që i çonte email Zotos?

Faktet kanë rëndësi më shumë se çdo fyerje dhe sharje!