Një ngjarje e rëndë ka ndodhur në mbrëmjen e së enjtes pranë Romës, ku dy makina, ajo e gazetarit italian Sigfrido Ranucci dhe e vajzës së tij janë shpërthyer përpara banesës së tyre në Campo Ascolano. Mjetet u përfshinë plotësisht nga flakët pas shpërthimit të një lënde plasëse, e cila sipas hetimeve paraprake ishte vendosur poshtë makinës së Ranuccit.
Gazetari, i njohur për emisionin investigativ “Report” në televizionin publik Rai, ndodhet prej vitesh nën mbrojtje për shkak të kërcënimeve të vazhdueshme, përfshirë edhe ato nga grupe mafioze. Për fat të mirë, askush nuk mbeti i lënduar nga shpërthimi, por dëmet materiale janë të mëdha, përfshirë edhe banesën ngjitur.
Në vendin e ngjarjes ndërhynë forcat e rendit, njësia anti-terror dhe ekspertët e kriminalistikës. Ndërkohë, prokuroria e Antimafias në Romë ka nisur hetimet për sulm me metoda mafioze dhe është duke pritur raportet e para nga hetuesit.
Ngjarja ka shkaktuar reagime të shumta në Itali, ku autoritetet më të larta kanë shprehur solidaritet me gazetarin dhe kanë dënuar ashpër aktin, duke e cilësuar si një sulm kundër lirisë së shtypit dhe të shprehjes.
Gazetari Ranucci është një figurë e njohur edhe në Shqipëri, pasi emisioni që ai drejton investigoi marrëveshjen Rama – Meloni për kampin e emigrantëve, por gjithashtu edhe çështjen “Ahmetaj”, ku ish-zv.kryeministri tregonte për kanabizimin e vendit dhe lidhjen e qeverisë me krimin e organizuar.