Gazetari Osman Stafa kërcënohet me jetë pas denoncimeve për Spitalin Onkologjik

Gazetari Osman Stafa është kërcënuar me mesazhe pas denoncimeve të vazhdueshme për mungesën e ilaçeve dhe pajisjeve në Spitalin Onkologjik.

Në adresën e tij në rrjetet sociale është dërguar një mesazh nga një adresë anonime, që e fyente dhe kërcënonte gazetarin të mos paraqitej më në ambientet e Onkologjikut dhe të heqë dorë nga denoncimet mbi korrupsionin dhe abuzimet mbi pacientët.

Pas marrjes së mesazhit, gazetari i është drejtuar menjëherë Policisë së Shtetit, ku ka bërë kallëzim penal,  për kërcënim për shkak të detyrës. 

Policia ka nisur hetimet për të zbuluar se kush fshihet pas këtij denoncimi, teksa vetë gazetari ka siguruar se nuk do të tërhiqet nga denoncimet e tij për situatën në Spitalin Onkologjik.

Prej disa vitesh gazetari Stafa ka investiguar dhe më pas ka denoncuar publikisht situatën e vështirë me të cilën përballen pacientët në Spitalin Onkologjik. 

Ndër denoncimet më të forta janë: Mungesa e brakiterapisë, një trajtim për gratë që vuajnë nga kanceri gjinekologjik; mungesa e pet-scanit, një diagnostikim tjetër mjaft i rëndësishëm për pacientët e Onkologjikut; mungesën e ilaçeve kimio për pacientët, si dhe ka evidentuar rastet e korrupsionit dhe abuzimit mbi pacientët nga bluzat e bardha, siç është rasti i trafikimit të biopsive nga publiku drejt privatit.