Gazetari Artan Hoxha është paraqitur ditën e sotme në ambientet e Prokurorisë së Posaçme, ku ka dorëzuar audio-përgjimin origjinal të 21 Janarit 2011.
Audio-përgjimi prej rreth 34 minutash është i komunikimeve të efektivëve të Gardës së Republikës në 21 janar 2011, kur ndodhi masakra me 4 të vrarë në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”.
Në tetor të vitit 2024, gazetari u shpreh pasi doli nga SPAK se në atë kasetë tregohet se urdhri për të qëlluar drejt turmës ka ardhur nga drejtuesi i Gardës dhe vrasjet janë bërë brenda 7 sekondave, ndërkohë që ka edhe komunikime mes drejtuesve të lartë të shtetit me drejtuesit e Gardës.
“Është një audioregjistrim ku janë urdhrat e komandantit të Gardës para se të ndodhnin vrasjet, gjatë vrasjes dhe pas vrasjes. Dëgjohen të gjitha komunikimet në radio, është kanali ku kanë përdorur drejtuesit e Gardës.
Përmes kësaj kasete behet e qartë që jo vetëm ka pasur komunikim, por komunikime mes drejtuesve të gardës, është një komunikim rutinë që bëhet mes tyre, është një material 34 minuta. Janë komunikimet në momentin e vrasjeve. Momenti që kanë fiksuar njerëzit kur ndodhi vrasjet, është vetëm 7 sekonda. Brenda 7 sekonda jepet urdhri për të hapur zjarr dhe në sekondën e 7 jepet urdhri të ndalohet. Aty dalin edhe drejtues të lartë të shtetit që kanë komunikuar me drejtuesit e Gardës. Prokuroria do vlerësojë vlefshmërinë e këtij materiali dhe për cfarë do ti shërbejë atyre.
Aty është bërë e qartë, që vrasjet jo vetëm që kanë qenë me urdhër, por urdhri ka ardhur nga lart dhe urdhri është dhënë me gjakftohtësinë më të madhe. Urdhri është dhënë për të qëlluar dhe urdhri tjetër ka ardhur për të ndaluar. Nëse të shtënat do të kishin zgjatur më shumë se 7 sekonda aty do kishte ndodhur një masakër, jo se nuk ndodhi masakra, por nëse do të kishin zgjatur 30 sekonda do ishte bërë nami”, tha Hoxha ndër të tjera.