Gara për kreun e ri të SPAK, KLP cakton datën se kur do pyeten kandidatët

Këshilli i Lartë i Prokurorisë ka caktuar datën se kur do të marrë në pyetje 4 kandidatët, në garë për të marrë drejtimin e SPAK, pas përfundimit të mandatit të Altin Dumanit.

Burime për mediat bëjnë me dije se prokurorët Adnand Xholi, Klodian Braho, Doloreza Musabelliu dhe Elvin Gokaj do të pyeten më datë 11 dhjetor, ora 9:00.

Pasi të dëgjohen dhe pyeten nga KLP, do të vijohet me procesin e votimit.

Kujtojmë se mandati i Altin Dumanit përfundon në 18 dhjetor, 3 vite pas zgjedhjes së tij në krye të SPAK, ku arriti ta kthente këtë institucion më të besuarin e qytetarëve, pas arrestimeve të shumë zyrtarëve të lartë të politikës, përfshirë këtu ish-presidentin e vendit, Ilir Meta apo kryetarin e Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj.

Zgjedhja e kreut të ri të SPAK është në fokusin e SHBA dhe Bashkimit Europian, të cilët po e ndjekin nga afër këtë proces.

Vlen të përmendet se drejtuesi i SPAK, Altin Dumani ka pasur ndër vite mbështetjen e SHBA-ve ndërsa disa muaj më parë ai ishte për një vizitë zyrtare në Uashington ku u takua me zyrtarë të Departamentit të Shtetit, Departamentit të Drejtësisë dhe Byrosë Federale të Hetimit ku në fokus ishte goditja e organizatave kriminale të trafikut të drogës dhe pastrimit të parave.