G99 e Erion Veliajt brenda Partisë Socialiste! Lufta e brendshme në PS, a rrezikon Belinda Balluku të humbasë një pjesë të Ministrisë?

Në krye të qeverisë dhe Partisë Socialiste, pushteti i Edi Ramës është më i konsoliduar se kurrë, pasi prej vitesh nuk ka ndonjë kundërshtar të aftë ta rrëzojë nga froni, nga opozita apo nga brenda partisë së tij.

Zgjedhjet e vitit të ardhshëm nuk janë larg, por situata në opozitë e favorizon kryeministrin që të shkojë drejt mandatit të katërt, pavarësisht pakënaqësisë së qytetarëve, emigrimit masiv dhe rritjes së papunësisë e varfërisë.

Teksa atje lart në fron gjithçka është e qetë, poshtë tij ka kohë që ka filluar një luftë e ashpër brenda Partisë Socialiste, për të gjetur pasardhësin e tij, që në fakt do t’i duhet të jetë nr.2 edhe për disa kohë, pasi kryeministri as që e mendon të heqë dorë nga gjithë ky pushtet.

Kryebashkaku i Tiranës, Erion Veliaj dhe Ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku, janë dy më të favorizuarit në sytë e socialistëve dhe qytetarëve, që synojnë t’i rrinë afër Ramës derisa kryeministrit t’i vijë “fundi politik”, për të zënë fronin aq shumë të ëndërruar.

Në këtë luftë të brendshme, që në syrin e publikut kamuflohet më së miri, sidomos gjatë zgjedhjeve, kryebashkiaku Veliaj ka filluar të fitojë terren, pavarësisht se ministrja e dytë më jetëgjatë në qeverinë e Ramës vijon të jetë e besuara e tij.

Ndryshimet e fundit në qeveri, shoqëruar edhe me zëvendësimin e Arben Ahmetajt si deputet, kanë shtuar radhët e të besuarve të Veliajt në Partinë Socialiste, ku mund të themi se kryebashkiaku e ka formuar një “grup parlamentar G99” brenda PS-së.

Prej vitesh, në qeverinë dhe partinë e Edi Ramës janë shumë persona të ardhur nga Lëvizja MJAFT dhe Partia G99 e Veliajt, të cilët ia kanë dalë të katapultohen edhe në postet më të rëndësishme, duke u bërë “syri dhe veshi” i Veliajt brenda qeverisë.

Plarent Ndreca është i fundit nga G99-a që do t’i bashkohet deputetëve socialistë në Kuvend, pasi mori mandatin e Ahmetajt. Zgjedhja e tij mund të jetë rastësore, pasi mandati nuk u pranua nga Dallëndyshe Bici, por sërish ai është një armë e shtuar e Veliajt brenda partisë, sidomos në “luftën” me Ballukun.

Kjo e fundit humbi edhe një nga drejtuesit më jetëgjatë të institucioneve që ka nën varësi, Blendi Gonxhen, të cilin Rama e zgjodhi si ministër në Ministrinë e Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit. Ministria e re që iu besua Gonxhes u krijua pas ndarjes së Ministrisë së Financave dhe Ekonomisë, duke ia lënë këtë të fundit ministrit të ri, ndërsa Ervin Mete, një tjetër i ardhur nga G99, do të drejtojë Ministrinë e Financave.

Ndarja e kësaj ministrie mund të sjellë ndarjen e një tjetër ministrie të madhe, atë të Infrastrukturës dhe Energjisë. Pavarësisht se Rama nuk e ka vënë asnjëherë në dyshim punën e Ballukut, angazhimi dhe përgjegjësia e madhe që kërkojnë këto dy sektorë mund të jetë arsyeja që kryeministri t’ia lehtësojë punën Ballukut, por kjo do të thotë edhe humbjen e “fuqive” të saj brenda qeverisë.

Elisa Spiropali, Milva Ekonomi, Olta Xhaçka, Etjen Xhafaj, Endri Fuga, Arbjan Mazniku, Ervin Mete, Klotilda Ferhati (Bushka) dhe tashmë Plarent Ndreca, janë një pjesë e mirë e “ushtrisë” së Veliajt brenda Partisë Socialiste dhe qeverisë së Ramës, ku disa prej tyre kanë marrë edhe ministri të rëndësishme.

A po e fiton Veliaj luftën brenda PS-, duke ia marrë Ramës “kalanë nga brenda”? Këtë nuk dimë ta themi me siguri, por kryeministri ka treguar që është njeri i surprizave, ndaj nuk është çudi që nga “lufta” Veliaj – Balluku të përfitojë një i tretë.

LEXO EDHE: Nga “MJAFT” në QEVERI! Mjaftistët që u katapultuan në poste të rëndësishme