Pesë vite më parë qeveria e Ramës bëri atë që në atë kohë e quante “Fundi i Marrëzisë” duke mbyllur të gjitha bizneset ku bëheshin baste sportive.
Por duket se ajo që kryeministri Rama promovonte aq shumë nuk pati sukses, pasi çdo ditë dëgjojmë lajme ku policia kap dhe burgos organizatorë të basteve sportive. Një vit më parë kryeministri pranoi se ka dështuar në luftën ndaj basteve ndërsa së fundmi (tre ditë më parë) projektligji për lejimin e basteve sportive online ka kaluar në Kuvend.
Në rang vendi do të jenë 10 licenca kombëtare me afat 10-vjeçar. Kusht për përfitimin e licencës është regjistrimi i kompanisë në Shqipëri, me një kapital jo më pak se 40 milion lekë ose rreth 400 mijë euro. Subjekti aplikues ose, të paktën, njëri prej aksionarëve të tij duhet të ketë përvojë në fushën e lojërave të fatit në jo më pak se 3 shtete të Bashkimit Europian ose vendeve anëtare të OECD dhe për jo më pak se 3 vjet.
Skedinat do të luhen vetëm në telefona e kompjuter, pra nuk do të ketë sallone të posaçme si ato të para disa viteve.
Ligji thotë se 15 për qind e parave që do të arkëtohen në baste, do të shkojnë për mbështetjen e sportit, artit, kulturës dhe teknologjisë së inovacionit.
Ai synon edhe mbrojtjen e lojtarëve, duke krijuar një fond garancie për fitimtarët, ku organizatori duhet të ngurtësojë 120 milionë lekë, por jo më pak se 5% e shumave të luajtura nga lojtarët brenda një viti, në një llogari të veçantë bankare, në favor të Ministrisë së Financave, i cili zhbllokohet vetëm me urdhër të ministrit përgjegjës për financat.
Ky projektligj i qeverisë për rikthimin e basteve sportive online, pritet të hyjë në kalendarin e punimeve të Kuvendit pas shtatorit, kur nis edhe sesioni i ardhshëm parlamentar.