Ftesa e Trump: Edi Rama nuk është “i përzgjedhuri”, por një mes shumë të tjerëve

Në një postim me shkronja kapitale, Edi Rama u përpoq ta shesë si një ngjarje të jashtëzakonshme diplomatike një ftesë që në realitet nuk ishte as personale dhe as ekskluzive

Bëhet fjalë për një letër standarde të shpërndarë në mënyrë masive, drejtuar mbi 100 drejtuesve të shteteve dhe qeverive në mbarë botën, ku secilit vend i kërkohet të marrë pjesë në një forum konsultativ, pa rol kyç dhe pa ndikim politik vendimmarrës.

Por për Ramën, forma ka gjithmonë më shumë rëndësi se përmbajtja. Kjo ftesë kolektive u shndërrua menjëherë në një “nder personal”, në një kohë kur dihet mirë si janë marrëdhëniet e qeverisë së tij me SHBA-në.

E vërteta është shumë më e thjeshtë dhe shumë më pak madhështore. “Bordi i Paqes” nuk i jep Shqipërisë asnjë status të veçantë dhe nuk i jep Ramës asnjë rol drejtues, siç edhe nuk e vendos vendin tonë në qendër të vendimmarrjes ndërkombëtare.

Shqipëria e përfaqësuar me Ramën është aty thjesht si një nga shumë shtete. Çdo përpjekje e kryeministrit tonë për ta paraqitur këtë ndryshe është në rastin më të mirë, keqinformim, dhe në rastin më të keq, mashtrim politik.

Ndërkohë që Rama ushqen opinionin publik me narrativa vetëvlerësuese, diçka tjetër më serioze ka ndodhur në marrëdhëniet me Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Fjala është për pezullimin e vizave emigruese për shtetasit shqiptarë.

Ky është një vendim që prek drejtpërdrejt mijëra qytetarë shqiptarë, familje të ndara, të rinj që kërkojnë një të ardhme më të mirë dhe njerëz që kanë pritur për vite me radhë për t’u bashkuar me familjen.

Dhe përballë këtij vendimi, kryeministri i Shqipërisë ka zgjedhur heshtjen. Sigurisht, pasi ky vendim i tregon atij realitetin në mënyrën se si po qeveris dhe se çfarë mendon SHBA për qeverisjen e tij.

Ky kontrast është shumë domethënës. Kur ka një letër pa peshë reale, Rama del menjëherë për ta shndërruar në spektakël politik, ndërsa kur ka një problem që prek qytetarët dhe imazhin e vendit, ai zhduket.

Nëse Shqipëria do të kishte vërtet peshë të veçantë, nuk do të përballej me masa kufizuese, dhe nëse Rama do të kishte vërtet respekt personal në arenën ndërkombëtare, nuk do të kishte nevojë t’i bënte gjithë këtë propagandë një ftese kolektive për të ndërtuar mitin e liderit global.

Por problemi nuk është ftesa, është mënyra si ajo u përdor për propagandë politike, siç është bërë me çdo lloj ftese tjetër të parëndësishme, apo siç ka vite që bëhet me hapjen e negociatave.

Kjo ftesë tregoi edhe njëherë tjetër më së miri për modelin e qeverisjes së Ramës, një model i ngritur mbi propagandën për çështje të parëndësishme, dhe heshtjen për problemet që prekin vërtet qytetarët.