Seanca plenare e kësaj të enjteje, që pritej të nisej në orën 10:00 është anuluar, teksa sot studentët do të protestojnë sërish.
Mësohet se vendimi është marrë pas revoltës studentore, e cila sot ka mbërritur në ditën e tretë. Studentët kishin paralajmëruar “rrethimin” e Kuvedit, duke detyruar të majtët të anulonin seancën plenare.
Në rendin e ditës ishin parashikuar katër interpelanca me ministra, shqyrtimi i disa projektligjeve, si dhe votimi i projektvendimit për ngritjen e Komisionit të Posaçëm Parlamentar për fazën e dytë të Reformës Administrativo-Territoriale.
Studentët dhe gjimnazistët kanë bojkotuar mësimin dhe kanë dalë në rrugë, ndërsa tubimet janë shoqëruar me përplasje, akte dhune dhe dëmtime të institucioneve e bizneseve private.
Ata kërkojnë dorëheqjen e kryeministrit Edi Rama dhe njëkohësisht plotësimin e disa kërkesave të tyre.