Një pikturë surrealiste nga artistja e famshme meksikane Frida Kahlo është shitur për 54.7 milionë dollarë (41.8 milionë paund) – duke thyer rekordin e ankandit për një vepër arti të realizuar nga një grua.
Vepra – me titull El sueño (la cama), që përkthehet Ëndrra (Shtrati) – paraqet Kahlon të fjetur në një shtrat me perde, nën një skelet të mbështjellë me dinamit.
Ky ankand theu rekordin e mëparshëm për veprën e një artisteje femër prej 44 milionë dollarësh, si dhe shifrën më të lartë të paguar ndonjëherë për një portret të Kahlos – 34.9 milionë dollarë në vitin 2021.
Autoportreti është një nga veprat “me ngarkesë psikologjike” të Kahlos, tha Sotheby’s, dhe u pikturua gjatë një periudhe të trazuara të jetës së saj – në vitin kur ish-i dashuri i saj u vra dhe pak pas divorcit e rimartesës së saj.
Kahlo, e cila vdiq në vitin 1954, konsiderohet gjerësisht si një nga piktoret më të mëdha të shekullit të kaluar dhe u bë e njohur për portretet e saj personale.
Veprat e saj shpesh pasqyronin marrëdhënien e dhimbshme me trupin, të dëmtuar nga poliomieliti në fëmijëri dhe nga plagët e rënda pas një aksidenti me autobus.
Pak njerëz mund ta kishin imagjinuar se El sueño (la cama) do të shitej një ditë për 55 milionë dollarë, duke pasur parasysh se në ankandin e parë në Sotheby’s në vitin 1980 u shit për vetëm 51,000 dollarë, tha drejtuesja e artit latinoamerikan të shtëpisë së ankandeve, Anna Di Stasi.
“Kjo arritje rekord tregon sesa larg kemi ardhur, jo vetëm në vlerësimin e gjenialitetit të Frida Kahlos, por edhe në njohjen e artisteve gra në nivelin më të lartë të tregut,” shtoi ajo.
Çmimi i mëparshëm rekord në ankand për një vepër të një artisteje femër ishte Jimson Weed / White Flower No. 1 e Georgia O’Keeffe, e shitur në Sotheby’s në vitin 2014 për 44 milionë dollarë.
El sueño (la cama) është një nga pak pikturat e Kahlos në tregun publik që prej viteve 1980, kur autoritetet meksikane i shpallën veprat e saj “monumente artistike”, duke ndaluar eksportimin e tyre pa autorizim.
Historia e Kahlos u përshtat në një film biografik me aktoren Salma Hayek në vitin 2002, i cili rrëfen marrëdhënien e trazuar të saj me bashkëshortin, artistin Diego Rivera, dhe plagët e saj.