Fredi Beleri kërkesë Gjykatës Kushtetuese: Vendosni sa më shpejt një datë për kërkesën time për t’u betuar

Kryebashkiaku i zgjedhur i Himarës, Fredi Beleri, i ka kërkuar Gjykatës Kushtetuese që të vendosë sa më shpejt një datë për të shqyrtuar kërkesën e tij për t’u betuar.

“Ju drejtohem Ju që jeni gardianët e Kushtetutës, që të dëgjoni lutjen time dhe të banorëve të Himarës për caktimin e një date sa më të shpejtë të gjykimit të kërkesës time, duke parë që ka kaluar kohë e gjatë prej 1 viti që pushteti qendror ka cenuar të drejtën e zgjedhjeve në Himarë”, thuhet midis të tjerash në kërkesë.

Beleri iu drejtua Gjykatës Kushtetuese pasi Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë dhe Apeli i Posaçëm e rrëzuan disa herë kërkesën e tij për t’u betuar.

Pak ditë më parë kryetarja e Gjykatës Kushtetuese, Holta Zaçaj, deklaroi se nuk kishte pasur asnjë kërkesë për përshpejtimin e çështjes së Belerit, ndaj edhe ai ka kërkuar zyrtarisht caktimin e një date sa më të afërt.