FOTO/ Shqiptarët që jetojnë në “ishullin e Napoleonit” regjistrohen për të votuar në zgjedhjet e 11 majit

Shqiptarët që jetojnë jashtë vazhdojnë të regjistrohen në platformën “PER” në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve për të ushtruar të drejtën e votës në zgjedhjet e 11 majit.

Përvec Italisë, Greqisë, Gjermanisë dhe SHBA, ku numri i votuesve është më i lartë, interes kanë shfaqur edhe ata qytetarë shqiptarë që jetojnë në vende pothuajse të harruara.

Konkretisht, kërkesa të tilla janë regjistruar në ishullin e Shën Helenës.

Sipas KQZ, janë 160 shqiptarë në ishullin e humbur te Shën Helenës, të cilët kanë shprehur dëshirën që të votojnë në zgjedhjet e 11 majit në Shqipëri.

Sipas të dhënave të fundit, ishulli i Shën Helenës ka një popullsi prej afërsisht 4,500 banorësh.

Ky ishull vullkanik, me një sipërfaqe prej 122 km², ndodhet në Oqeanin Atlantik Jugor, rreth 2,000 km larg bregdetit të Afrikës.

Pothuajse gjithkush e njeh emrin e ishullit të izoluar. Ai ndodhet në mes të Oqeanit Atlantik, Shën Helena (St. Helena), në të cilin ish-perandori francez, Napoleon I, pas humbjes që pësoi në Vaterlo para 200 vjetëve, u internua dhe jetoi ditët e tij të fundit të jetës.