FOTO/ Masakra në Shkodër, ky është autori që vrau dy persona dhe plagosi dy të tjerë

Mëngjesin e së hënës, Shkodra u trondit nga një atentat në pedonalen “Kolë Idromeno”, ku mbetën të vrarë dy persona dhe u plagosën dy të tjerë.

Sipas policisë, peronat që humbën jetën janë Armando Pali dhe Liridon Kraja, ndërsa të plagosurit Erogen Vaso (vëllai i Denis Brajoviç) si dhe një kameriere, e cila punonte në lokalin ku ishin ulur tre personat e mësipërm.

Autori, Ragip Gila, me precedentë penalë, u arrestua pranë lumit Kir pasi u aksidentua gjatë ndjekjes nga policia.

Ai ishte arrestuar më parë në vitin 2023 gjatë operacionit “Imazhi fals”, ku iu sekuestruan armë, municione dhe pajisje të tjera të përdorura zakonisht nga grupet kriminale.

Gjatë këtij operacioni policia sekuestroi 7 jelekë anti-plumb, 2 palë doreza, 3 maska, 2 paruke, municion luftarak, një kokore metalike, një armë gjahu dhe sende të tjera të kundërligjshme.