Foto/ Efektivit të Gardës i futen në banesë dhe i grabisin armën e shërbimit

Efektivi i Gardës së Republikës, Dhimitër Prifti, ka denoncuar ditëne sotme se një person i është futur në banesë dhe i ka grabitur armën e shërbimit.

Kamerat e sigurisë në banesë kanë fiksuar autorin, një person ende i paidentifikuar, i cili ka hedhur mbi kokë vetëm kapuçin e bluzës, teksa fytyrën nuk e ka mbuluar.

Edhe pse në dijeni të kamerave të sigurisë, ai futet nga dritarja në banesë dhe mësohet se ka dalë sërish nga po e njëjta dritare. Hajduti ka dalë nga banesa duke mbajtur poshtë bluzës disa sende, mes të cilave dyshohet dhe arma e shërbimit të gardistit.

Policia po punon për identifikimin e autorit të ngjarjes.

“Në Komisariatin e Policisë Nr. 1, është paraqitur shtetasi Dh. P., 36 vjeç, banues në Tiranë (punonjës i Gardës së Republikës), i cili ka kallëzuar se shtetas të paidentifikuar kanë hyrë në banesën e tij dhe i kanë vjedhur armën e shërbimit. Punohet për identifikimin dhe kapjen e autorit/ëve. Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, për veprime të mëtejshme”, – njoftoi Policia e Tiranës.