Fotini Derxho, vajza që preku zemrat e shqiptarëve kryeson listën e Partisë Mundësia në Gjirokastër

Në fund, ata që kujtohen janë gjithmonë fituesit!

E tillë është edhe Fotini Derxho, e cila arriti të triumfonte në edicionin e nëntë të Big Brother Albania, duke spikatur në lojën e saj e duke bërë për vete gjithë shqiptarët që e ndiqnin.

Pas asaj eksperience që e bëri të njohur për publikun shqiptar, vajza nga Lazarati, e rritur në Greqi, i hyri rrugës së biznesit, duke u bërë një sipërmarrëse e suksesshme, teksa 2 vite më parë provoi sërish eksperiencën e Big Brother VIP.

Aty, historia e saj do të prekte zemrat e shqiptarëve, pasi Fotinia tregoi vështirësitë e jetës së saj. Në një rrëfim prekës e po aq edhe tronditës për familjen, ajo tregoi raportin e vështirë me babanë, me të cilin nuk fliste prej 9 vitesh, për shkak të zënkave të tij të shumta me nënën e saj.

Por, pavarësisht vështirësive në jetë, Fotinia ia doli! Sot, ajo ka vendosur që të futet në një tjetër rrugë, me besimin që të jetë po aq e suksesshme si herët e tjera.

Ajo do të jetë kandidate për deputete në zgjedhjet e 11 Majit. Fotini Derxho do të udhëheqë listën e Partisë Mundësia në qarkun e Gjirokastrës, duke shpresuar se do të fitojë besimin e qytetarëve për t’i përfaqësuar në Kuvendin e Shqipërisë.