“Atlantic Council”
“Ne nuk do të tërhiqemi!”. Presidenti i SHBA-së, Xho Bajden e nisi fjalimin e tij mbi Gjendjen e Unionit me një mesazh drejtuar presidentit rus Vladimir Putin, por edhe Kongresit, duke iu kërkuar të pranishmëve të miratojnë sa më parë ndihmën e re financiare dhe ushtarake për Ukrainën, Izraelin dhe Tajvanin.
Duke e përmbysur strukturën e zakonshme të fjalimeve të tilla, të cilat priren të ndalen kryesisht tek çështjet e brendshme, Biden foli për zgjerimin e NATO-s dhe udhëkryqin historik ku ndodhet sot bota. Po ku pati të drejtë dhe ku gaboi ai në ato që tha? Ja se çfarë mendojnë ekspertët e “Atlantic Council”.
Ishte një fjalim historik mbi lidershipin global të SHBA-së
Një Bajden energjik, foli me vetëbesim duke i përshkruar dinamikat aktuale globale si një garë midis demokracive dhe autokracive. Në lidhje me politikën e jashtme, ai u përqendrua tek lufta së Rusisë kundër Ukrainës, duke e cilësuar atë një luftë globale, por edhe një luftë unike të amerikanëve lidhur me vlerat tona të lirisë.
Bajden iu drejtua direkt Putinit, duke e siguruar atë se Shtetet e Bashkuara “nuk do t’i shmangen sfidës” dhe se “nuk do të tërhiqemi”. Më pas, ai u kërkoi anëtarëve të Kongresit që të miratojnë paketën e re të ndihmës për Ukrainën për të çuar përpara interesat amerikane, pa i vënë në rrezik ushtarët amerikanë.
Bajden përshëndeti praninë në sallë të kryeministrit suedez Ulf Kristersson në ditën e parë të këtij vendi si anëtar i NATO-s, një organizatë e cilësuar prej tij si “aleanca ushtarake më e fortë në historinë e botës”. Pra ky fjalim, ishte një diskutim i shpejtë mbi lidershipin global të SHBA-së, një kujtesë se liria dhe demokracia janë vlera amerikane, dhe se manteli i lidershipit global do të mbetet i yni në rast se do të jemi mjaftueshëm të guximshëm për ta kapur atë.
Xhena Ben-Jehuda, nënkryetare ekzekutive e Atlantic Council, dhe ish-drejtuese e Qendrës Truman për Politikat Kombëtare.
I drejtë theksimi i rëndësisë së Ukrainës për SHBA-në, gabim minimizimi i konfliktit me Kinën
Xho Bajden ka të drejtë kur thotë se Shtetet e Bashkuara duhet ta ndihmojnë Ukrainën për të mposhtur agresionin e Putinit, dhe se me anëtarësimin e Finlandës dhe Suedisë NATO është më e fortë se kurrë më parë. Po ashtu, ka të drejtë kur thotë se agresioni i Putinit “nuk do të ndalet vetëm në Ukrainë”.
Në këtë kuadër, ai mund të rrisë mbështetjen për Kievin, duke përcaktuar një strategji të qartë për fitoren. Por kërcënimi më i madh për sigurisë tonë kombëtare është Kina, një temë e ngritur vetëm afër fundit të fjalimit. Bajden ka të drejtë kur shprehet se Shtetet e Bashkuara dhe aleatët e tyre janë më të fortë, dhe se Kina është më e dobët nga sa e vlerësojnë shumë analistë.
Gjithsesi është e gabuar të thuhet që ne duam “konkurrencë por jo konflikt me Kinën”. Sepse kjo që po shohim është një luftë mbi rendin global midis botës së lirë dhe një diktature komuniste gjenocidale. Nuk është konkurrencë. As një ndeshje tenisi. Tashmë jemi në një përplasje dhe konflikt. Synimi nuk duhet të jetë të shmangim konfliktin. Për këtë është tepër vonë. Siç e tha dikur Reagan synimi ynë në Luftën e Dytë të Ftohtë, duhet të jetë shumë i thjeshtë:”Ne fitojmë, ata humbasin!”.
Metju Krenig, drejtori i studimeve në “Atlantic Cuncil”.Më herët ka punuar mbi politikën ndaj Iranit në komunitetin e inteligjencës amerikane dhe Departamentin e Mbrojtjes.
Bajden po e shton presionin ndaj Netanjahut
Askush nuk mund ta akuzojë drejtësisht Bajdenin, se nuk është një mbështetës i palëkundur i sigurisë së Izraelit. Prandaj ai e vlerëson, madje më shumë se sa politikë-bërësit kryesorë në Jerusalem, se edhe pse Izraeli synon të arrijë objektivat e tij të nevojshme ushtarake kundër Hamasit, siguria e tij afatgjatë po vihet në rrezik për shkak të shkallës së krizës humanitare të vazhdueshme në Gaza dhe mungesës së ndonjë plani të besueshëm izraelit për ta adresuar atë.
Njoftimi i tij, se Shtetet e Bashkuara do të ndërtojnë një port të përkohshëm për dërgesat e ndihmave nga deti, do të ndihmojë në zbutjen e krizës humanitare, duke mundësuar “një rritje masive të sasisë së ndihmës humanitare që hyn në Gaza çdo ditë” vuri në dukje Biden. Por vetëm Izraeli mund t’i japë fund vërtet kësaj krize.
Nga ana tjetër, është edhe më domethënës mesazhi diplomatik që Uashingtoni po i dërgon Jerusalemit. Administrata Bajden e ka rritur vazhdimisht presionin ndaj kryeministrit Benjamin Netanjahu gjatë 6 javëve të fundit, duke kaluar përtej diplomacisë së qetë, dhe duke i bërë publike mosmarrëveshjet e tyre për të ndërmarrë më pas veprime.
Është hera e pestë që Bajden e bën një veprim të tillë. Përpara se Shtetet e Bashkuara të pushtonin Irakun në vitin 2003, Sekretari i Shtetit i asaj kohe, Kolin Pauell, e paralajmëroi presidentin Xhorxh Ë.Bush me rregullin e rrjetit të dyqaneve Pottery Barn në SHBA:”Nëse e thyen, atëherë ke përgjegjësinë ta riparosh”.
Sot, Izraeli duhet ta kuptojë këtë parim. Pasi e ka shkatërruar Gazën, tani ka përgjegjësinë për të siguruar nevojat bazë të popullsisë së saj, të paktën derisa të gjendet një ent tjetër për ta bërë këtë. Netanjahu duhet ta pranojë se për sa kohë që vazhdon të refuzojë të pranojë këtë përgjegjësi, ai duhet të presë veprime shtesë nga Bajden në javët dhe muajt në vijim.
Uilliam F.Ueshsler, drejtor i Programeve të Lindjes së Mesme në “Atlantic Council”. Më herët ka qenë zëvendës/ndihmëssekretar i Mbrojtjes për operacionet speciale dhe luftën kundër terrorizmit.
Bajden premton masa më të forta për forcimin e sigurisë kufitare
Ndoshta 2 vite më parë, presidenti nuk e kishte menduar se siguria kufitare do të ishte një nga çështjet përcaktuese të presidencës së tij. Por kjo është gjendja sot në SHBA, dhe në fjalimin e tij Bajden tha se planifikon të firmojë një nga ligjet më të ashpra mbi sigurisë kufitare dhe migracionin në dekadat e fundit.
Ai i kërkoi Kongresit të mbështeste planin e tij për të siguruar pajisje dhe oficerë për të siguruar kufirin. Po ashtu, i bëri thirrje Kongresit që të ndjekë modelin e kompromisit dypartiak të Senatit, pasi kjo do të rriste ndjeshëm burimet për sigurinë kufitare dhe migracionin dhe do të përshpejtonte përpunimin e kërkesave për azil që po bllokojnë gjykatat, të cilat merren me këtë çështje.
Senatori konservator Xhejms Lenkford, e pohoi me kokë dakordësinë e tij, ndërsa Bajden e quajti këtë projektligj si reformën më të ashpër në këtë sektor. Në janar, ish-presidenti Donald Trump u kërkoi republikanëve të bllokonin kompromisin dypartiak, sepse me sa duket ai mund ta ketë këtë çështje si një “kalë beteje” në fushatën presidenciale të 2024-ës.
Në fjalimin e të enjtes, Bajden tregoi se planifikon të arrijë një kompromis me republikanët. Por realiteti është se një vit tjetër pa stafin shtesë, paratë dhe ndryshimet e politikave të nevojshme për të forcuar sigurinë kufitare dhe ndrequr sistemin problematik të emigracionit, nuk do ta bëjë më të lehtë zgjidhjen e këtij problemi.
Tomas S.Uorik, drejtor i Projektit të Mbrojtjes Pararojë në “Atlantic Council”. Ka punuar në Departamentin e Shtetit në vitet 1997-2007, dhe në vitet 2008-2019, ka qenë zëvendës ndihmës sekretar për politikën kundër terrorizmit në Departamentin e Sigurisë Kombëtare.
Marrë me shkurtime