Në Shqipëri, forcimi i monedhës vendase kundrejt euros ka sjellë një valë shqetësimi në radhët e bizneseve, që preken nga dobësimi i monedhës europiane, veçanërisht në sektorin e eksporteve.
Sidomos përgjatë muajve të fundit euro ka arritur herë pas here në nivele historike me zhvlerësimin që ka pësuar. E duket se Banka e Shqipërisë nuk ka ndërmend të ndërhyjë për të normalizuar kursin e këmbimit.
Ditën e djeshme guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Gent Sejko, në një takim me Anke Ëeber, shefe e Misionit të FMN-së për Shqipërinë, ka deklaruar se Shqipëria ka pasur gjithnjë një regjim të lirë kursi këmbimi në rrugën e saj të tranzicionit e zhvillimit.
“Ky regjim i ka dhënë vendit një instrument të rëndësishëm për përballimin e goditjeve dhe ruajtjen e stabilitetit të çmimeve. Në këtë kuadër, Banka e Shqipërisë nuk targeton një nivel të caktuar të kursit të këmbimit, e megjithatë i kushton një vëmendje të veçantë ecurisë së tij”, është shprehur ai.
Guvernatori shtoi se tregu valutor ka funksionuar normalisht gjatë dy viteve të fundit, duke mos shfaqur çrregullime apo fenomene spekulative, çka sugjeron se forcimi i kursit të këmbimit të lekut është një fenomen i përcaktuar nga ekonomia reale dhe jo nga tregu financiar. Të dhënat e bilancit të pagesave tregojnë një rritje të konsiderueshme në investimet e huaja direkte, një rritje të konsiderueshme të të ardhurave nga turizmi, rritje të eksporteve në total, si dhe një rritje të remitancave në krahasim me vitin e kaluar.
Edhe shefja e Misionit të FMN-së konstatoi se trendi forcues i kursit të këmbimit është në linjë me rritjen e eksporteve dhe përmirësimet strukturore në balancat e jashtme të ekonomisë shqiptare. Në këtë kontekst, ajo nënvizoi dobinë dhe përfitimet që ka ekonomia shqiptare nga regjimi i lirë i kursit të këmbimit dhe theksoi se, në përputhje me këtë regjim, ndërhyrja në tregun valutor duhet të kufizohet në kushtet e çrregullimit të tregut, duke ruajtur rolin e kursit të këmbimit si amortizues goditjesh.