“PD nis betejën e saj përfundimtare për fitoren e opozitës dhe fitoren e shqiptarëve”. Kështu u shpreh kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha në Foltoren e pestë të mbajtur këtë të hënë para Kryeministrisë.
Berisha akuzoi Ramën për korrupsion, frikë dhe represion ndaj protestave qytetare, ndërsa u shpreh se largimi i tij nga pushteti do të vijë përmes një mobilizimi masiv të qytetarëve.
Berisha tha se demokratët dhe shqiptarët nuk duhet të ndalen deri në rrëzimin e qeverisë.
“Sot ne mblidhemi për të shpallur para mbarë shqiptarëve se PD nis betejën e saj përfundimtare për fitoren e opozitës, për fitoren e shqiptarëve. Parafolësit këtu theksuan se Edi Rama është një hajdut i papërmbajtur, por në të gjitha ligësitë e njeriut, ajo që shteron guximin më shumë është vjedhja.
Ndaj dhe Edi Rama është frikacaku më i madh që ka njohur Shqipëria në atë detyrë. Shikoni se çfarë bën çdo natë me Adriatik Lapajn, në protestën e tij më qytetare, më civile, vë dy karrige aty dhe proteston në emër të çdo qytetari, çdo ditë me orë të tëra, policia banditët ua heqin çadrat, tavolinën, ujin me akte banditeske. Pse kjo? Sepse ai është kryefrikacaku i kombit. U garantoj se ai është aty se vjedh ditë e natë”, tha Berisha.