Fjalimi i fundit i Sabri Godos në Parlament. E para fjalë në kuvend në prill 1991 i dedikohej çështjes së pronave dhe e fundit gjithashtu i dedikohej të njëjtës çështje. Politikani i urtë, u largua nga kjo botë pa parë asnjë hap konkret me zgjidhjen e kësaj problematike. Edhe sot çështja e pronësisë është ende e pazgjidhur.
“Zgjidhni çështjen e pronave” ishte një ndër porositë që ambasadorja Juri Kim la për Shqipërinë në takimin e fundit me gazetarët, në mbyllje të mandatit të saj diplomatik në Shqipëri.
Mesazhi i ndërkombëtarëve për politikën shqiptare nis qysh me nisjen e përpjekjeve për ndërtimin e shtetit demokratik në vitet ’90. Shqipëria kishte dalë nga një regjim totalitar ku e drejta e pronës private ishte zhdukur me ligj. Të gjithë pronarët ishin shpronësuar, vrarë e burgosur nga regjimi diktatorial komunist. Në vitin 1991, parlamenti i dalë nga zgjedhjet e para pluraliste miratoi një ligj që e deformoi dhe e komplikoi tepër zgjidhjen e çështjes së pronave. Do të quhej ligji famëkeq 7501, që jo vetëm nuk zgjidhi çështjen e pronave por e komplikoi edhe më tepër atë. Dhe thirrjet e institucioneve ndërkombëtare nuk reshtën asnjëherë së kërkuari zgjidhjen e çështjes së pronave.
Rezoluta e dhjetorit të vitit 1995 e Parlamentit Europian u bëri thirrje vendeve të Europës Qendrore e Lindore të adoptonin legjislacionin e duhur lidhur me kthimin e pronës së marrë forcërisht. Në pikën 10 të rezolutës të vitit 1996 të Asamblesë Parlamentare theksohet ndër të tjera: “Asambleja parlamentare e Këshillit të Evropës, këshillon që pronat, duke përfshirë edhe ato të kishave të marra padrejtësisht ose ilegalisht nga shteti të nacionalizuara, të konfiskuara ose të shpronësuara gjatë mbretërimit të sistemeve totalitare komuniste në princip, t’u kthehen tërësisht të zotëve origjinalë”.
Në prill të vitit 1997, rezoluta e senatit amerikan theksonte ndër të tjera: “Duke pasur parasysh faktin se djallëzia komuniste ishte drejtuar në mënyrë të veçantë tek shkatërrimi sistematik dhe i organizuar i pronësisë private, senati mirëpret përpjekjet e shumë vendeve ish-komuniste për të vënë në vijë problemin shumë të vështirë të statusit të pronës. Senati inkurajon me forcë vendet që nuk kanë vepruar kështu të kthejnë pronat e grabitua me dhunë te pronarët e tyre legjitimë ose si një alternativë të paguajnë kompensimin në përputhje me parimet e drejtësisë, në mënyrë që ai të jetë transparent dhe i ndershëm”.
Dhjetë vitet e para pas shpalljes së pluralizmit politik, përpjekjet për zgjidhjen e çështjes së pronave ishin minimale. Elita politike e dy krahëve, të majtë dhe të djathtë nuk u shfaq asnjëherë e interesuar për të zgjidhur përfundimisht çështjen epronave. Një debat në fundin e legjislaturës parlamentare 1997-2001, ka në qendër çështjen e pronave e imponuar nga republikani, i ndjeri Sabri Godo, i cili e pati si një ndër çështjet thelbësorë të të gjithë aktivitetit të tij politik.
“Jemi në mbyllje të legjislaturës dhe në fushatë elektorale dhe vështirë që një projektligj të tërheqë vëmendjen tuaj, por unë do t’u lutesha të tregoni pak durim, 13 minuta, sepse çështja që parashtroj lidhet pikërisht me atë çfarë gjëje të rëndësishme la pa kryer kjo legjislaturë. Kushtetuta e miratuar nga ky Kuvend dhe pastaj nga populli me referendum linte një afat trevjeçar për të bërë ligjet e duhura që do të rregullonin problemin e pronës private të rënë në anarki. Kaluan dy vjet e gjysmë dhe jo vetëm nuk u bë ndonjë hap për zgjidhjen e problemit, por ndërkohë u bënë ligje të tjera që ndërlikuan punën edhe më keq. Kemi dhunuar e shkelur Kushtetutën, gjë që e çon shtetin në degradim dhe anarki. Problemi merr përmasa shumë të rrezikshme, sidomos kur ligjet dhe Kushtetutën i shkelin vetë ligjvënësit. Këto që them janë një akuzë e rëndë për Kuvendin, për legjislaturën që po mbyllet. Siç e dini nuk kam dalë ndonjëherë përpara jush si ekstremist apo si deputet i lajthitur, por këto që them sot ashtu tingëllojnë. Atëherë jam i detyruar të jap disa shpjegime, së pari të provoj nëse vërtet është shkelur Kushtetuta.
Neni 41 i Kushtetutës thotë shprehimisht: “Prona fitohet me dhurim, me trashëgimi, me blerje dhe me çdo mënyrë tjetër klasike të parashikuar në Kodin Civil”. Ky është një nen themelor i kategorisë së neneve që bëjnë reforma në marrëdhëniet ndërmjet qytetarëve dhe shtetit dhe qytetarëve ndërmjet tyre. Ky nen përcakton pa ekuivokë se pronë private ligjore pas daljes së Kushtetutës është vetëm ajo që trashëgon nga babai ose që e ke blerë me mundin tënd ti vetë me para në dorë nga një pronar tjetër i ligjshëm. Ky nen shpall të jashtëligjshëm çdo burim tjetër të përfitimit të pronës. Me këtë nen bien gjithë ligjet që kanë prekur pronën nën regjimin komunist dhe më parë. Këtë thotë neni 41 për këdo që di dhe që do të lexojë shqip. Por meqenëse rikthimi i pronës në shtratin e vet ligjor nuk mund të bëhet në kushtet tona vetëm duke shkruar një nen dhe as brenda një nate, neni 181 dha një afat dy-tre vjet për rregullimin e gjithë çështjeve që lidhen me shpronësimet dhe konfiskimet përpara miratimit të Kushtetutës. Për dy vjet e gjysmë nuk u bë asnjë ligj që do të çonte në rregullimin e pronës private sipas kritereve të nenit 41. Kjo është shkelja e Kushtetutës, lënia e saj në harresë.
I mbetet legjislaturës që vjen të bëjë në më pak se tre muaj atë që nuk bëmë ne në tre vjet. Po lëmë një trashëgimi të rëndë, sepse më 28 nëntor të këtij viti skadon afati, dhe Kuvendi e Qeveria që do të vijnë do të ballafaqohen haptas me mosrespektimin e Kushtetutës në një nga nyjat themelore të saj, respektimin e të drejtave të njeriut në bazën e të cilave qëndron e drejta e pronës. Nëse ndokush nuk e shikon kështu, përse u shkrua në Kushtetutë neni 41 dhe sidomos neni 181? Sot mund të pyetet përse nuk lëvizi asgjë në tre vitet që shkuan? Përgjigjja është një: Qeveria nuk e ka lexuar Kushtetutën ose ajo e di punën dhe ka shqetësimin se është mangët në këtë nyje të Kushtetutës, por thotë me vete përse t’i zgjojmë qentë që flenë.
Unë zotërinj, si deputet i Partisë Republikane që ka luftuar për pronën ligjore e quajta fitore për shoqërinë dhe shtetin, faktin se Kushtetuta hapi rrugën dhe vuri detyrime për zgjidhjen e drejtë të problemit. Në janarin e vitit 1998, dy muaj pas miratimit të Kushtetutës, shkova tek Presidenti i Republikës për t’i kërkuar të merrte nismën që fillonte me bërjen e ligjeve, sepse Presidenti është personi që ka nënshkruar Kushtetutën dhe moralisht përgjigjet për zbatimin e saj. Presidenti thirri një konsultë të nivelit të lartë qeveritar dhe kërkoi të fillonte puna, por nuk u bë asgjë. Shkova te ish-kryeministri Majko, dhe ai nënshkroi një urdhër për ngritjen e një komision që do të shqyrtonte problemin e pronës, por ky komision nuk u ngrit kurrë. Shkova te Kryeministri Meta disa herë, edhe ky e pranoi propozimin, duke ngarkuar zotin Legisi të thërriste komisionin. Legisi e filloi me një projekt të çuditshëm lidhur me trojet në qendrat e komunave, duke i kërkuar shtetit 100 milionë dollarë për kompensimet, a thua se i gjithë problemi i pronës reduktohej në sheshet që kanë zënë zyrat dhe institucionet e komunave.
Kam thirrur nja dy herë në interpelancë zotin Xhuveli për pronësinë mbi tokën. Ky ruajti një qetësi për t’u admiruar, duke thënë se nuk kishte asgjë për të ndryshuar dhe se do të shkonte përpara me ligjin nr. 7501 që do të ishte një vulë turpi për cilindo pushtet që deklarohet për demokracinë dhe të drejtat e njeriut. Nuk gjeta përkrahje në asnjë anë, as në institucione, as këtu në Kuvend. Me kohë fillova ta shikoj veten si kalorësi i fytyrës së vrerosur që lufton në mullinjtë e erës. Kur i humba shpresat vendosa të përdor si hap të fundit të drejtën që më jep Kushtetuta si deputet dhe këtë mezi e fitova sot.
Në korrikun e vitit të kaluar i paraqita Kuvendit projektligjin që diskutohet sot. Kuvendi e dërgoi projektligjin në Qeveri, e cila duhej të përgjigjej brenda një muaji. Kaluan edhe shtatë muaj të tjerë pa asnjë përgjigje nga Qeveria. Tani projektligji erdhi këtu si pika e fundit e rendit të ditës.
Të nderuar kolegë,
Problemi i bukur dhe i vështirë i pronës shtrihet në tri fusha në atë mbi tokën, mbi pyjet e livadhet dhe mbi trojet dhe ndërtesat e qendrave urbane. Paraqita projektligjin mbi këtë të fundit që është më i lehtë për t’u trajtuar, por jo më pak i rëndësishëm. Ky projektligj u jep fund ngatërresave të pronësisë mbi trojet dhe ndërtesat, u pret rrugën spekulimeve, ndihmon investimet dhe vë zhvillimin urbanistik në baza të qëndrueshme. Nganjëherë ndodhin edhe mrekullira, ka të ngjarë që ju ta ktheni projektligjin në ligj, duke dhënë një provë të fortë të vullnetit të kësaj legjislature për ta vënë shtetin në rregull, duke djegur dhe një nga urat që na mbajnë ende të lidhur me të kaluarën.
Zoti kryetar i seancës,
Unë jam me ndërgjegje më të lehtë që ju ta vini në votë këtë projektligj, sepse ia bëra shërbimin me aq sa mundet me bindjen time më të thellë”, thoshte ndër të tjera Sabri Godo, në fjalën e tij mbajtur në prill 2001 në seancë parlamentare.
Ishte një fjalim i Sabri Godos në prill të vitit 2001, në seancën e fundit të legjislaturës. 20 vjet më parë, Godo paralajmëroi batërdinë që ndodhi e po ndodh me çështjen e pronave në Shqipëri. Projektligji që ai propozoi, nuk u mor kurrë në konsideratë nga ligjvënësit e legjislaturavae pasardhëse. Çështja e pronave u përdor si premtim në çdo fushatë elektorale për tu harruar në çdo qeverisje.
Në vitin 2015, mazhoranca aktuale socialiste, miratoi një ligj për pronat i cili nuk ka dhënë asnjë efekt në zgjidhjen e problemit të hershëm të pronave. Procesi i legalizimeve nuk ka shkuar paralel me kompensimin dhe kthimin e pronave ish pronarëve. Kadastrat e Shqipërisë kanë qënë dhe duket se do të vazhdojnë të jenë për një kohë të gjatë, çerdhët e korrupsionit ku prona shitet e blihet disa herë e ku pronari është i përjashtuar në këtë pazar. Pa zgjidhur çështjen e pronave, Shqipëria nuk mund të jetë një vënd i përshtatshëm për investime serioze të huaja apo vendase.
Çështja e pronave vazhdon të mbetet thelbi i të gjitha problematikave që jan ë kthyer në murë të forta në rrugëne Shqipërisë drejt ndërtimit të shtetit ligjor. Pa zgjidhur çështjene pronave, Shqipëria nuk e ka e nuk do ta ketë kurrë mundësinë për të ecur përpara në ndërtimine demokracisë e shtetit të së drejtës.