Filmuan dhe shpërndanë pamje të sulmeve me raketa, akuza ndaj 21 personave në Emiratet e Bashkuara Arabe

Autoritetet në Emiratet e Bashkuara Arabe kanë ngritur akuza ndaj 21 personave, përfshirë një turist britanik 60-vjeçar, pasi ata filmuan dhe shpërndanë video të sulmeve me raketa dhe dronë iranianë. Rasti është bërë publik nga një organizatë që ofron ndihmë ligjore për të arrestuarit në këtë vend.

Sipas kësaj organizate, një turist britanik është akuzuar së bashku me 20 persona të tjerë, ndërsa autoritetet në Emiratet e Bashkuara Arabe po ashpërsojnë masat ndaj personave që publikojnë pamje të sulmeve me raketa dhe dronë të Iranit në territorin e vendit.

Drejtoresha ekzekutive e organizatës, Radha Stirling, tha se të gjithë personat janë përfshirë në të njëjtën aktakuzë. Sipas ligjeve për krimet kibernetike në Emirate, edhe personat që ripostojnë ose komentojnë një video mund të përballen me akuza penale.

“Një video e vetme mund të çojë shpejt në dhjetëra persona që përballen me akuza kriminale”, thuhet në deklaratën e organizatës.

Turisti britanik, emri i të cilit nuk është bërë publik, kishte filmuar një raketë që kalonte mbi kokën e tij, por e kishte fshirë menjëherë videon pasi policia ia kishte kërkuar këtë gjë. Megjithatë, sipas organizatës, ai u arrestua më pas.

Dënimi për shkeljen e ligjeve për krimet kibernetike në Emiratet e Bashkuara Arabe është minimumi dy vjet burg dhe një gjobë prej 200 mijë dirhamësh (rreth 54 mijë dollarë).

Organizata “Detained in Dubai” tha se personat e akuzuar dyshohet se kanë përdorur rrjete informacioni ose mjete teknologjike për të publikuar apo shpërndarë lajme të rreme, thashetheme apo propagandë provokuese që mund të ndikojnë në opinionin publik ose të cenojnë sigurinë publike.

Në një rast tjetër, një student indian në Universitetin e Dubait u arrestua pasi kishte filmuar një sulm me raketa në Palm Islands dhe videon e kishte shpërndarë vetëm në një grup familjar në aplikacionin e mesazheve. Ai vazhdon të mbahet në paraburgim.

Ndërkohë, dy shtetas francezë u arrestuan më herët gjatë konfliktit për filmimin e raketave, por u liruan pa u ngritur akuza ndaj tyre.

Organizata pretendon gjithashtu se policë me rroba civile kanë arrestuar persona që janë parë duke filmuar sulmet me raketa.

Javën e kaluar, Prokurori i Përgjithshëm i Emirateve paralajmëroi publikun që të mos shpërndajë foto apo video nga vendet e sulmeve ose informacione të pasakta që mund të shkaktojnë panik.

Në një tjetër paralajmërim zyrtar, autoritetet theksuan se fotografimi apo shpërndarja e pamjeve të objekteve të sigurisë ose të infrastrukturës kritike mund të çojë në masa ligjore dhe të rrezikojë sigurinë kombëtare.

Ministria e Mbrojtjes së Emirateve bëri të ditur se që nga fillimi i konfliktit janë lëshuar mbi 1,800 dronë dhe raketa drejt territorit të vendit, duke shkaktuar gjashtë viktima dhe 141 të plagosur.