Ministrja e Bujqësisë, Anila Denaj, ka reaguar në media lidhur me skandalin e mishit të pulës me salmonelë që u hodh në tregun shqiptar dhe që është konsumuar nga qytetarët.
Denaj u justifikua për këtë skandal duke thënë se kompania që e importoi nga Brazili nuk ka qenë bashkëpunuese sa i takon gjurmimit të ngarkesave që përmbajnë salmonelë.
Sipas Denaj, institucionet përkatëse, përfshirë AKU-në, janë duke hetuar dhe disa ngarkesa janë ende në proces gjurmimi. Kjo do të thotë se mishi i pulës me salmonelë vijon ende të jetë në treg, pasi një sasi nuk është hequr akoma. Ministrja tha se ajo vetë nuk ka një informacion zyrtar se sa është sasia e mishit të pulës që është bllokuar, ndërsa qytetarët shqiptarë po helmohen dita-ditës me produkte të kontaminuara.
“Institucionet përkatëse, përfshirë AKU-në, janë duke zhvilluar hetime dhe kanë gjetur se një pjesë e ngarkesave janë ende në proces gjurmueshmërie. Bizneset importuese kanë detyrimin të informojnë nëse një produkt ka dalë me kontaminim dhe të ndërpresin zinxhirin e furnizimit. Në rastin e kësaj ngarkese, ka pasur vështirësi në gjurmimin e plotë të produkteve, dhe për këtë arsye, janë përfshirë edhe hetimet e tjera, përfshirë ato nga policia dhe prokuroria”- tha ajo.
Por teksa ky skandal vjen pas atij të mandarinave me pesticide që në vend që të asgjësoheshin u hodhën në treg dhe u konsumuan nga qytetarët, Denaj tha se Autoriteti Kombëtar i Ushqimit do të shkrihet.
“ Në shtator të vitit të kaluar ka kaluar një ligj që do të vihet në zbatim deri në fund të vitit, me të gjitha aktet juridike që inspektoratet do të riorganizohen. AKU do të shkrihet dhe do të bashkohet me të gjitha inspektoratet e ushqimit. Të gjitha do të krijojnë një institucion që do të zbatojë politikat e tij, për peshkimin, për bimët, produktet e kafshëve dhe nuk do të varen nga një drejtor i përgjithshëm, as nga ministri, por nga një sistem i tërë, sepse nuk mund të menaxhojmë vetëm me njerëz, por nga tre nivele monitorimi”- tha Denaj.