Ida Ismalaj
Festat e fundvitit sjellin atmosferë gëzimi në çdo qytet, por prapa zbukurimeve dhe bredhave të mëdhenj që hijeshojnë sheshet, shpesh fshihet një kosto e rëndë për buxhetet lokale.
Këtë vit, bashkitë e vendit, duke përfshirë edhe atë të Tiranës, kanë shpenzuar shuma të mëdha për dekorimet festive, duke ngritur pikëpyetje mbi transparencën dhe efikasitetin e përdorimit të fondeve publike.
Dhjetori, muaji i festave të Krishtlindjes dhe Vitit të Ri, vjen bashkë me dekorin dhe zbukurimet.
Krahas atmosferës së krijuar për festimin dhe argëtimin e të gjitha grup-moshave, bashkitë jo rrallëherë e shfrytëzojnë edhe si një mundësi për abuzim.
Këtë vit, bashkia e Tiranës ka çelur 4 tendera me vlerën totale prej 28.8 milionë lekësh për dekorin e fundvitit. Për vitin 2023, bashkia e Tiranës shpenzoi rreth 21.2 milionë lekë nga buxheti prej 28.5 milionë lekësh.
Prokurimi është bërë në muajin tetor për blerjen e dekorimeve për festimet e Vitit të Ri 2024 në qytetin e Tiranës. Sipas Bashkisë Tiranë, qëllimi është përgatitja për një sezon festiv të ndriçuar dhe të gjallëruar, duke kontribuar në atmosferën pozitive dhe tërheqjen e sa më shumë turistëve. Sipas të dhënave, burimi është me vetëfinancim dhe bashkia e Tiranës çeli tenderin për blerjen e dekoreve me fondin limit prej 9 900 000.00 lekësh.
Dy operatorët konkurrues që morën pjesë janë “Arteo 20218” dhe “Iceberg Communication”. Fituese u shpall edhe këtë vit “Iceberg Communication”, me fondin 9 379 640.00 lekë pa TVSH, ndërsa firma Arteo 20218 u skualifikua për shkak të mosparaqitjes së mostrave pranë Ndërmarrjes së Dekorit dhe Eventeve në datën dhe orën e caktuar.
Dekori në kryeqytet
Këtë vit si asnjëherë më parë, në sheshin “Skënderbej” u vendos jo 1, por 5 pemë dhe ende mbetet e paqartë arsyeja. Ndërsa zbukurimet janë shtrirë nga Muzeu Historik Kombëtar deri tek selia e Partisë Socialiste, rruga “Myslym Shyri”, “Pazari i Ri”, Kalaja, bulevardi “Dëshmorët e Kombit” etj.
Dekori i Parkut të Liqenit Artificial, 6.5 milionë lekë
Si rrallë herë, këtë vit është zbukuruar edhe Parku i Madh i Liqenit Artificial të Tiranës, i shtrirë përgjatë gjithë pjesës së Digës së liqenit, për të cilin bashkia ka shpenzuar 6.5 milionë lekë.
Ndërsa 2.9 milionë lekë janë shpenzuar për fishekzjarret e fundvitit.
Bashkia e Tiranës, 9 500 000.00 lekë për vargje dritash
Të dhënat e Open Procurement Albania nxjerrin në shkelje, me flamur të kuq, tenderin për blerje të vargjeve të dritave në kryeqytet.
Bashkia e Tiranës vendosi një fond limit 9 500 000.00 lekë për blerje vargje dritash, ndërsa morën pjesë dy operatorë konkurrues ARTEO 2018 dhe ELENI TOPI. Fitues u shpall ARTEO 2018, me fondin prej rreth 8 992 000.00 lekësh pa TVSH, ndërsa u skulifikua kompania ELENI TOPI, pasi mostrat nuk u dorëzuan sipas kërkesave të vendosura.
Armela Duka, analiste ekonomie thote se shpenzimi nga bashkia e Tiranës tregon një menaxhim joefikas të fondeve publike dhe një buxhet të fryrë për të justifikuar shpenzime të tjera të panevojshme, në një kohë kur investime të tjera janë më emergjente dhe më prioritare.
Shkelja e konstatuar nga Open Procurement Albania është skualifikimi i operatorëve konkurrues, përveç fituesit.
Eksperti i Ekonomisë Zef Preçi sqaron se këto fonde publike mund të ishin më të dobishme të investoheshin në infrastrukturë, por edhe si ndihmë ndaj shtresave në nevojë. Preçi tha: “Ato ushqejnë bizneset klienteliste të kryebashkiakëve, duke iu siguruar atyre “para të lehtë” dhe shumë afër fondit limit (të njohura si tenderime në mungesë të konkurrencës reale).
Në shkelje edhe bashki të tjera të vendit
Bashkia e Korçës shpenzoi këtë vit mbi 11 milionë lekë, për zbukurimet e fundvitit. Bëhet fjalë për shirita dekorativ, llampa dhe pajisje të tjera për zbukurimin e ambienteve të ndryshme në qytetin e Korçës, i cili është kthyer në një nga atraksionet më të vizituara për Krishtlindje dhe Vitin e Ri. Kjo bashki ka shpenzuar 3.000.000.00 lekë, nga fondi limit prej 3.749.333.00 lekësh për tre instalacione, që përfshin një bredh, një shandan dhe strukturë metalike.
Open Procurement Albania ka konstatuar mungesë të konkurrencës së operatorëve për shpenzime dekori, me një fond limit prej 2 916 460.00 lekësh. Operator konkurrues ishte vetëm Alb Korrket, i cili fitoi me fondin 2 840 000.00 lekë pa TVSH.
Duke qenë se jemi në një vit parazgjedhor, eksperti Zef Preçi nënvizon se shumica e bashkive të vendit kanë një përpjekje të sforcuar dhe të kushtueshme për të krijuar imazhin e një “Shqipërie që zhvillohet” që nuk pyet për krizat, që është shëndërruar në kantier ndërtimi etj.
Për vitin 2024, bashkia e Korçë planifikoi të shpenzonte 12.3 milionë lekë dhe harxhoi rreth 11 milionë lekë, ndryshe nga viti 2023 ku shpenzoi rreth 5.6 milionë lekë për dekorimin e qytetit. Ndërsa për vitin 2022 u shpenzuan mbi 4.6 milionë lekë, një shumë e afërt me vitin 2021 ku dekorimi i qytetit të Korçës ishte 4.4 milionë lekë.
Shkelje në procesin e tenderimit edhe në bashki të vogla
Bashkia Kavajë ka shpenzuar 4.740.000.00 lekë për dekorin festiv të qytetit dhe fituese edhe për dekorimin e këtij qyteti është shpallur kompania “Iceberg Communication”.
Shkelja e konstatuar nga Open Procurement Albania është mungesa e konkurrencës së operatorëve.
Për analisten e ekonomisë Armela Duka, një nga problemet kryesore që shoqërojnë këto tendera është mungesa e transparencës dhe eleminimi i ofertës me vlerë më të ulët, gjë që tregon mungesë respektimi për konkurrencën e drejtë dhe deformon procesin e prokurimit.
Durrësi, bashkia e dytë më e madhe në vend ka shpenzuar 219.980.00 lekë pa TVSH për zbukurimet e qytetit. Fondi limit i vendosur nga bashkia e Durrësit ishte 320.000.00 lekë.
Ndërkohë që dekorimet festive krijojnë një pamje magjike dhe tërheqin turistë, ato gjithashtu shërbejnë si një reflektim i prioriteteve të institucioneve lokale. Në një kohë kur shumë qytetarë përballen me sfida ekonomike, nevojitet një debat mbi mënyrën se si fondet publike mund të menaxhohen më mirë, duke dhënë përparësi investimeve afatgjata që sjellin përfitime të qëndrueshme për qytetarët, përtej dritave të shkëlqimit sezonal/acqj.al