Ferrari bëhet copash dhe shpërthen në flakë, vdes DJ shqiptar në Itali, dyshohet edhe për një viktimë të dytë

Një 40-vjeçar shqiptar nga Kosova ka humbur jetën në një aksident tragjik në Itali.

Viktima, i identifikuar si Isa Q, me profesion DJ, ka qenë duke lëvizur me një Ferrari me shpejtësi të lartë, pasi kishte përfunduar një koncert.

Mediat italiane shkruajnë se Ferrari i bardhë po lëvizte me shpejtësi mbi 200 km/h kur ka rrëshqitur në rrugë për shkak të lagështisë dhe është përplasur me bordurat anësore.

Makina u nda në copa, të cilat u shpërndanë në rrugë dhe më pas mjeti shpërtheu në flakë.

Dyshohet se bashkë me të ka humbur jetën edhe një grua. Sipas raportimeve të mediave italiane, identifikimi është i komplikuar pasi ata u dogjën në veturën që mori flakë. Ndërkohë, policia e Settimo Torinese ka kontaktuar disa të afërm dhe u ka kërkuar atyre që të ndihmojnë në identifikimin e të vdekurve përmes analizës së ADN-së.