Familja mbretërore norvegjeze nën presion, nis gjyqi për përdhunim ndaj djalit të princeshës së kurorës

Familja mbretërore e Norvegjisë, zakonisht e rezervuar dhe larg skandaleve, është vënë sërish në qendër të vëmendjes publike këtë javë, teksa nis gjyqi për përdhunim ndaj Marius Borg Høiby, djalit të princeshës së kurorës, vetëm pak ditë pasi dokumente të reja të publikuara në SHBA lidhën princeshën Mette-Marit me Jeffrey Epstein.

Marius Borg Høiby, 29 vjeç, përballet me 38 akuza penale, përfshirë përdhunim dhe dhunë të përsëritur ndaj ish-partneres së tij. Sipas aktakuzës, ai dyshohet se ka ushtruar dhunë fizike dhe psikologjike, duke e goditur në fytyrë, mbytur, kërcënuar dhe shkatërruar pronën e saj.

Nëse shpallet fajtor, Høiby rrezikon mbi 10 vite burg, sipas transmetuesit publik norvegjez NRK. Akuzat përfshijnë gjithashtu gjashtë raste të xhirimit ose fotografimit seksual pa pëlqim, si dhe vepra penale të lidhura me drogën dhe drejtimin e automjetit.

Avokati mbrojtës, Petar Sekulic, ka deklaruar se klienti i tij mohon të gjitha akuzat për abuzim seksual dhe shumicën e akuzave për dhunë, duke shtuar se Høiby do të paraqesë versionin e tij të ngjarjeve para gjykatës.

Gjyqi nisi të martën në Gjykatën e Qarkut në Oslo dhe pritet të zgjasë shtatë javë. Sipas NRK-së, Høiby u deklarua i pafajshëm për katër akuza për përdhunim dhe u shfaq i qetë në sallën e gjyqit.

Høiby është njerku i Princit të Kurorës Haakon, por nuk është pjesë e linjës së trashëgimisë mbretërore, pasi ka lindur para martesës së nënës së tij me princin në vitin 2001.

Gjyqi vjen në një moment delikat për familjen mbretërore, pas publikimit të dokumenteve të reja nga Departamenti Amerikan i Drejtësisë, që përfshijnë dhjetëra emaila mes Jeffrey Epstein dhe Princeshës së Kurorës, Mette-Marit.

Ndërkohë, vetëm dy ditë para nisjes së gjyqit, Høiby u arrestua sërish nën akuza të reja, përfshirë kërcënime me thikë dhe shkelje të urdhrit mbrojtës, sipas prokurorisë.

Ekspertët e çështjeve mbretërore theksojnë se, ndonëse të tronditur nga akuzat, shumica e norvegjezëve e shohin rastin si çështje personale dhe ligjore, jo institucionale. Princi Haakon ka bërë të qartë se djali i njerkës së tij “nuk është anëtar i Shtëpisë Mbretërore” dhe se do të trajtohet si çdo qytetar tjetër përpara ligjit.

As princi dhe as princesha nuk do të jenë të pranishëm në gjykatë, një vendim që shihet si përpjekje për të distancuar institucionin nga rasti.

Situata rëndohet edhe më tej nga zbulimet e reja mbi kontaktet e mëparshme të Mette-Marit me Jeffrey Epstein, vite pasi ai kishte pranuar fajësinë për shfrytëzim seksual të një të miture.

Në emailet e vitit 2012, princesha përdor një ton miqësor ndaj Epstein, duke e quajtur “i ëmbël” dhe “shumë simpatik”. Në një deklaratë për CNN, ajo ka pranuar se ka treguar “gjykim të dobët” dhe ka shprehur keqardhje të thellë për çdo kontakt me të.

“Nuk e kam hetuar mjaftueshëm të kaluarën e tij dhe kjo është përgjegjësia ime. Më vjen thellësisht keq dhe shpreh solidaritet të plotë me viktimat e tij,” ka deklaruar Mette-Marit.

Sipas analistëve, mënyra se si pallati mbretëror do të menaxhojë transparencën dhe heshtjen institucionale në ditët në vijim do të jetë vendimtare për besueshmërinë e tij në një shoqëri që vlerëson ndershmërinë dhe hapjen nga udhëheqësit.