Organizatorët e Eurovisionit pritet të vendosin sot nëse Izraeli do të marrë pjesë në edicionin e vitit 2026, mes thirrjeve nga disa shtete për ta përjashtuar vendin për shkak të luftës në Gaza.
Takimi po mbahet në selinë e Unionit Evropian të Transmetuesve (EBU) në Gjenevë, organizatë që bashkon 56 transmetues publikë nga e gjithë Evropa dhe që administron konkursin. Në rend dite janë rregullat e reja të prezantuara muajin e kaluar, të cilat synojnë të kufizojnë ndikimin e qeverive dhe palëve të treta në procesin e votimit.
Shumë vende kanë shprehur shqetësime për vazhdimin e pjesëmarrjes së Izraelit, i cili po zhvillon operacione ushtarake në Gaza pas sulmeve të 7 tetorit 2023. Sipas Ministrisë së Shëndetësisë të drejtuar nga Hamasi në Gaza, mbi 70 mijë persona janë vrarë në konflikt.
Transmetuesi publik izraelit KAN thuhet se ka vazhduar përgatitjet për konkurrimin në vitin 2026 dhe pritet të paraqesë sot qëndrimin e tij përballë mundësisë së përjashtimit, raportoi Reuters.
EBU njoftoi se, nëse anëtarët nuk bien dakord mbi garancitë e reja për integritetin e votimit, mund të mbahet një votim të veçantë për pjesëmarrjen e Izraelit. Vendimi për përjashtim kërkon shumicë absolute.
“Neutraliteti dhe integriteti i Eurovisionit janë me rëndësi thelbësore për EBU-në dhe audiencat tona. Është e domosdoshme të mbrohet gjithmonë ndershmëria e konkursit,” tha drejtori i konkursit, Martin Green.
Eurovisioni, i nisur në vitin 1956, është i njohur për spektaklin ekcentrik dhe konkurrimin mes artistëve nga dhjetëra vende. Vitin e kaluar u ndoq nga 166 milionë shikues, 3 milionë më shumë se viti paraprak, sipas EBU-së. Megjithatë, dy vitet e fundit gara është shoqëruar me protesta pro-palestineze në Zvicër dhe Suedi.
Nuk është hera e parë që ngjarjet globale ndikojnë në konkurs; Rusia u përjashtua në vitin 2022 pas pushtimit të Ukrainës.
Spanja, një nga pesëshja kryesore financuese të Eurovisionit, ka kërcënuar bojkotin e edicionit 2026 nëse Izraeli lejohet të marrë pjesë, një qëndrim që e kanë marrë edhe Irlanda, Sllovenia dhe Holanda. Ndërkohë, Gjermania ka shprehur mbështetje për pjesëmarrjen izraelite.
Javën e kaluar, ministrja e Jashtme e Austrisë, Beate Meini-Reisinger, e përsëriti se konkursi duhet të mbetet hapësirë e neutralitetit politik. Ajo theksoi se Eurovisioni “nuk është instrument sanksionesh” dhe u bëri thirrje partnerëve evropianë të punojnë së bashku për “përmirësimin e situatës në Izrael dhe Gaza”.