Euro thellon rënien dhe zbret për herë të parë poshtë 96 lekëve

Kursi i këmbimit të Euros me Lekun e ka mbyllur javën në rënie të mëtejshme, duke thyer për herë të parë edhe kufirin e 96 lekëve. Sipas kursit zyrtar të këmbimit të Bankës së Shqipërisë, Euro u këmbye të premten me 95.89 lekëve, niveli më i ulët i regjistruar ndonjëherë.

Rënia e kursit të këmbimit ka nisur të zgjerohet edhe me bazë vjetore. Krahasuar me një vit më parë, kursi Euro-Lek paraqitet në rënie me 3.3% krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë.

Agjentët e tregut valutor u shprehën për “Monitor” se rënia e Euros në ditët e fundit mund të shpjegohet kryesisht me këmbimet e shumta të kryera sidomos nga bizneset, që kanë konvertuar fonde të konsiderueshme nga Euro në Lek. Kjo ka rritur ofertën e monedhës europiane në tregun valutor dhe ka çuar në rënien e mëtejshme të kursit, në vijim të një tendence disavjeçare.

Nga ana tjetër, aktorët shprehen se një nga arsyet që e ka ndikuar rënien e Euros është edhe një prani më e pakët e Bankës së Shqipërisë në tregun valutor. Prej afërsisht dy vitesh, Banka Qendrore po blen sasi të mëdha të Euros, me qëllim ngadalësimin e tendencës rënëse të kursit. Kjo ndërhyrje është motivuar më së shumti me objektivin e inflacionit dhe me kufizimin e efektit deflacionist që vjen nga forcimi i Lekut.

Por, në këtë periudhë duket se Banka e Shqipërisë po mban një qëndrim më të tërhequr dhe e ka lejuar kursin të ndjekë rrjedhën e tij normale. Kjo mund të shpjegojë pse rënia e Euros në javët e fundit duket të jetë përshpejtuar.

Sipas të dhënave zyrtare, për nëntë muajt e parë të vitit 2025 Banka e Shqipërisë ka blerë gjithsej 825.6 milionë euro në tregun e brendshëm valutor. Kjo është vlera më e lartë historike e blerjeve të Bankës së Shqipërisë në tregun valutor për këtë periudhë të vitit. Krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë, blerjet e valutës janë rritur me 52.2%.

Ndërkohë, për vitin 2026, Banka e Shqipërisë ka planifikuar t’i rrisë më tej blerjet e planifikuara të valutës në tregun e brendshëm dhe synon të blejë përmes ankandeve 330 – 450 milionë euro, me objektiv rritjen e rezervës valutore. Objektivi i blerjeve është rritur ndjeshëm krahasuar me projeksionet në intervalin 270-350 milionë euro të parashikuar për vitin 2025.

Megjithatë, në atë pjesë të blerjeve që lidhet me ndërhyrje direkte në tregun valutor, këtë vit duket se Banka e Shqipërisë po ndërhyn më pak, ndoshta duke ndjekur rekomandimet e bëra në fund të vitit të kaluar nga Fondi Monetar Ndërkombëtar (FMN). Monitor