Euro ka rënë sërish kërë javë në nivelet ku ishte gjatë sezonit të verës, duke arritur vlerën e 105.1 lekëve. Edhe pse pritej që tregu valutor të stabilizohej, situate vijon të jetë e vështirë për eksportuesit dhe për të gjithë ata që kanë të ardhura në euro, përfshirë personat që jetojnë me remitancat e emigrantëve.
Por megjithë këtë rënie drastike të euros që duhet të favorizonte uljen e çmimeve, në muajin shtator inflacioni u rrit për herë të parë që nga tetori i vitit të kaluar kur arriti rekord.
Të dhënat zyrtare të INSTAT tregojnë në muajin shtator inflacioni shënoi 4.1%, ose 0.1% më lartë se në gusht. Kjo rritje u nxit nga çmimet më të larta të ushqimeve, karburanteve dhe shërbimeve arsimore.
Një euro më e dobët ndihmon në zbutjen e inflacionit sepse mallrat e importit që futen në vendin tonë bëhen më të lira.
Por rënia e çmimeve nuk është reflektuar për konsumatorët, edhe pse kursi i këmbimit sot është në favor të kësaj.
Nga marsi i vjetshëm deri tani euro ka rënë me gati 16%. Por deri tani nuk ka asnjë ushqim të vetëm, asnjë produkt të importuar që t’i ketë rënë çmimi me 16% si efekt i rënies së euros. Importuesit nuk kanë reflektuar asnjë ulje çmimesh duke rritur kështu vetëm marzhet e fitimit për vete. Në dyqanet e lagjeve, supermarkete e tregje, produktet që vijnë nga jashtë, tashmë me kosto më të ulët, gjithsesi po blihen më shtrenjtë nga shqiptarët.
Ata që e pësojnë më shumë nga kjo rritje çmimesh janë vetëm konsumatorët, të cilët me statistikat zyrtare, kanë ulur ndjeshëm konsumin.
Çmimet e shportës vijojnë të jenë të papërballueshme për një pjesë të madhe të shoqërisë, e cila merr rroga shumë të ulëta ose pensione të mjerueshme.
Megjithatë e vetmja “masë” që qeveria ka marrë deri tani është rritja e pensioneve me 50 lekë në ditë për pensionistët, gjatë tre muajve të ardhshëm, duke e kthyer kështu në një gjest qesharak lëmoshe.