Ermal Hasimja përplaset me Arlind Qorin: Kush je ti që kërkon barazi televizive me PS e PD? Ata marrin qindra mijëra vota, ti nuk je sprovuar…

Pedagogu i njohur Ermal Hasimja dhe kreu i Lëvizjes Bashkë, Arlind Qori, janë përplasur mbrëmjen e djeshme në emisionin “Të Paekspozuarit” në lidhje me censurën e mediave ndaj politikanëve të rinj.

Debati lindi pas akuzave të Arlind Qorit në emisionin “Opinion” se i ishte mohuar hapësira mediatike për shkak se sulmonte oligarkët, akuzë e cila u mohua nga moderatori Blendi Fevziu, që tha se nuk merrte urdhra nga askush për kë ftonte në emisionin e tij.

Në emisionin e djeshëm, Hasimja tha se Arlind Qori nuk mund ta barazojë veten me PS dhe PD, pasi janë dy parti të mëdha që marrin qindra mijëra vota, ndërkohë që Qori nuk është sprovuar ende, ndaj nuk mund ta ngrejë veten në piedestal dhe të kërkojë trajtim të barabartë mediatik.

“Sot ke ftuar në emision zotin Qorin. Nuk e ke ftuar si person anonim, jo vetëm sepse doli në emision te Fevziu, e ke ftuar sepse është një person i njohur. Nuk është një person që i mungon hapësira mediatike. Pretendimi për mungesën e hapësirës është patetik. Si është bërë i njohur zoti Qori? Me instrumentin kryesor të njohjes, televizionet. Po nisemi nga konstatimi që ka elementë të ndryshëm, oligarkë, biznese, firma, që ndikojnë politikat editoriale të televizioneve. Po është e vërtetë.

Unë si qytetar mendoj se do të ishte mirë që TV të ishin të pavarura. Si bëhen këto? Në cilën mënyrë e vendos metrin e pavarësisë? Në çfarë mënyre e cakton që kushtet e minatorëve në Bulqizë janë katastrofike, apo janë të mira? Pse duhet të konsiderojmë atë që thotë zoti Qori, apo dikush tjetër si e vërtetë universale? Demokracia ka pluralitetin e mendimeve.

Një tjetër, zoti Qori ankohet për pabarazi. Me kë? Me PS që merr 1 milion vota, apo PD që merr 400 mijë vota në ditën më të keqe? Patjetër. Po kush je ti që nuk je sprovuar në asgjë, të kesh barazi me ata? Ta ngresh veten në piedestal dhe të thuash nuk po më trajtojnë në mënyrë të barabartë”, u shpreh Hasimja.

Ndërkohë, Arlind qori vijoi me idenë se ishte censuruar nga media për shkak të denoncimeve të tij ndaj oligarkëve, ku përmendi emrin e Samir Manes dhe tha se nuk ishte ftuar në emisione kur bënte protesta për minatorët e Bulqizës.

Arlind Qori: Nga zoti Hasimja pres ndershmëri akademike. Kur thotë nuk e njeh askush partinë apo mua, unë jam kryetar i një partie, kemi hyrë në zgjedhje për Bashkinë e Tiranës dhe kam dalë i treti. Nëse Hasimja thotë askushi është e padrejtë.

Unë thashë në Top Channel, gjatë kulmit të protestave të pensionistëve, emisioni i zonjës Duma diskutoi për këtë dhe përfaqësues nuk isha unë, kryetari i partisë që po i organizonte pensionistët, por ishte zoti Shabani. Më bëri përshtypje që flitej për pensionet, për protestat e pensionistëve, për kryeministrin që më sulmonte mua, dhe nuk kishte të ftuar përfaqësues nga Lëvizja Bashkë. Kjo më duket censurë.

Në kulmin e grevave të minatorëve, kur flet për Bulqizën, dhe nuk thërret dy palë, këtu cedon profesionalisht. Liria ka edhe përgjegjësi publike. Dallon një televizion që përpiqet t’i flasë publikut, eshtë edhe tv kombëtar. Edhe prona private ka shkallë të ekskluziviteti. Një gjë është shtëpia, një gjë është qendra tregtare.

Ju thatë se jam produkt i mediave. Pse më kanë nisur të më ftojë media? Më kishte qejf zoti Fevziu, zoti Rakipi? Unë për herë të parë në Opinion kam dalë në qershor 2014, hera e dytë që dilja në TV, sepse atë ditë student të universiteteve publike dolëm në protestë. Zoti Fevziu më ka ftuar sepse ka patur interes, sepse kisha qëndrim për atë çështje.

Çdo person që më ka ftuar, më ka ftuar sepse i janë dukur interesante veprimet e mia dhe qëndrimet e mia. Nuk të bën media të famshëm nga hiçi, por aktiviteti yt. Kur pesha ime publike rritet, koha televizive pakësohet. Te Fevziu para 2019, dilja 7-8 herë në vit. Prej kontradiktës së fortë me Samir Manes, dola dy herë gjithsej. Këtu është problemi si lidhet media me oligarkinë.