Erion Veliaj zhvendoset në sektorin spitalor të burgut të Fierit, pas ankesave për gjendjen shëndetësore

Erion Veliaj është zhvendosur nga sektori A i paraburgimit në sektorin spitalor të burgut të Fierit, ku do të qëndrojë pas shqetësimeve të ngritura lidhur me gjendjen e tij shëndetësore.

Lëvizja vjen pasi kryebashkiaku i Tiranës i është drejtuar GJKKO-së me një kërkesë për të hetuar transferimin e tij të papritur nga burgu i Durrësit drejt atij të Fierit.

Sipas pretendimeve të Veliajt, gjatë transferimit nuk është marrë në konsideratë gjendja e tij shëndetësore, ndërsa ai kishte pësuar dëmtime në këmbë gjatë kohës që mbahej në paraburgimin e Durrësit.

Me këtë lëvizje, Veliaj nuk është larguar nga burgu i Fierit, por është transferuar në një sektor tjetër brenda të njëjtit institucion penitenciar.