Gjatë një takimi me ministrat dhe deputetët e qarkut të Tiranës, kryeministri Edi Rama u ndal te vendimi i Këshillit Bashkiak, për shkarkimin e kryebashkiakut, Erion Veliaj.
Kërkesën që i bëri Këshillit, Rama e justifikoi me faktin se qytetarët e Tiranës nuk mund të bashkëjetojnë me një bashki kokëkëputur, siç ju referua ai situatës së krijuar pas arrestimit të Erion Veliajt 7 muaj më parë, me urdhër të SPAK.
Duket se Erion Veliaj është një kapitull i mbyllur për PS dhe Ramën, me këtë të fundit që tha gjatë këtij takimi se tashmë fokusi është te zgjedhjet e reja për Bashkinë Tiranë, ku kandidate e së majtës do të jetë Ogerta Manastirliu. Kjo e fundit, tha kryeministri, ka mbështetjen e familjes socialiste.
“Tema jonë si PS, është sot të nisim punën për zgjedhjet e reja në Tiranë. Me kandidaten e duhur dhe me organizimin e mbështetjen e duhur. Do të marrim rezultatin e duhur. Më vjen shumë mirë që, siç edhe ju të gjithë, kandidatura e Ogertës ka qenë mbështetje e plotë e familjes sonë politike. Ku të gjithë e çmojnë kandidaten tonë dhe janë me një mendje që është radha e saj për të udhëhequr Tiranën.
Aq e fortë është mbështetja për Ogertën, sa është pa interes kush do të jenë kandidatët rivalë që do hyjnë në garë të humbur dhe do dalin edhe më të humbur. Edhe nga anketimi në Tiranë, është e qartë që shumica e qytetarëve e kanë hallin te problematikat që kërkojnë adresim dhe zgjidhje nga Bashkia e Tiranës”.