Erion Veliaj i përfshirë në aferën e “5D”? GJKKO urdhëron SPAK: Hetoni titullarin…

Nuk i përmendet emri në asnjë dokument, por kryebashkiaku i Tiranës, Erion Veliaj, duket të jetë vënë nën hetim nga Prokuroria e Posaçme për aferën e kompanisë “5D Construction”, me anë të së cilës drejtorët e tij vilnin tenderat e Bashkisë.

Ka qenë Gjykata e Posaçme që në dosjen me 120 faqe ka urdhëruar SPAK të hetojë titullarin e Autoritetit Kontraktor. Në vendimin e GJKKO, thuhet konkretisht:

“Në raport me faktet dhe rrethanat e mësipërme, gjykata vlerëson se, në vijim të hetimeve, duhet të hetohen dhe vlerësohen edhe përgjegjësitë e mundshme të titullarit të autoritetit kontraktor ose nëpunësit të autorizuar, në lidhje me detyrimet ligjore të tij për të kontrolluar ligjshmërinë e procedurave të prokurimit objekt procedimi, për të vlerësuar nëse ka element të veprës penale”.

“Ky paragraf në vendimin e gjykatës paraprihet nga analizimi i elementëve të veprës penale për Taulant Tushen, Enton Punavijan, Julian Zanaj dhe Albano Janku, të cilët kanë qenë personat e ngarkuar për tenderat e zhvilluar nga Autoriteti Kontraktor, Bashkia e Tiranës, dhe të fituar nga “5D” shpk. Duke ndjekur rrjedhën logjike të veprime të Prokurorisë dhe vendimit të Gjykatës, kuptohet qartësisht se gjyqtarja e posaçme ka urdhëruar hetimin e Erion Veliajt për aferën “5D” shpk”, shkruan Boldnews, që ka publikuar edhe pjesë nga dosja e SPAK.

Kompania “5D” e ish-drejtorëve Mariglen Qato dhe Redi Molla ka përfituar më shumë se 6 miliardë lekë të vjetra tendera nga Bashkia e Tiranës, Ujësjellës-Kanalizime Tiranë, Tirana Parking dhe Klubi Sportiv “Tirana”.

Përveç Bashkisë së Tiranës, SPAK dhe GJKKO kanë përmendur emrat e tre titullarëve të tjerë të Aurotiteteve Kontraktore, por për emrin e Erion Veliajt janë kursyer, ashtu siç kanë brëë në dosjen e inceneratorit të Tiranës.

Por çfarë thuhet konkretisht për 3 titullarët e autoriteteve kontraktore:

Redi Molla, në cilësinë e autoritetit kontraktor, Ujësjellës-Kanalizime Tiranë…ka lejuar zhvillimin e këtyre procedurave (të fituara nga V.A.S Construction, shën.red), 6 prej të cilave në shkelje të dukshme të përcaktimeve të ligjit për prokurimet publike…”.

“Nga tërësia e fakteve dhe rrethanave…rezultojnë se shtetasja Eglantina Zëre, në cilësinë e titullarit të autoritetit kontraktor “Tirana Parking”…ka kryer veprime të kundërligjshme, që kanë krijuar avantazhe dhe privilegje për bashkimin e operatorëve ‘V.A.S Construction’ dhe ‘Rroku Guest’…në raport me përmbushjen e kritereve kualifikuese…”.

“Nga tërësia e fakteve dhe rrethanave…rezultojnë se shtetasja Deborah Keçi, në cilësinë e titullarit të autoritetit kontraktor “Klubi Sportiv Tirana”…ka kryer veprime të kundërligjshme, që kanë krijuar avantazhe dhe privilegje për operatorin ‘V.A.S Construction’…në raport me përmbushjen e kritereve kualifikuese…”

Ndërkohë, për Veliajn mjaftohet vetëm përmendja si “titullar i Autoritetit Kontraktor”. Nuk dihet përse SPAK dhe GJKKO e kanë kaq shumë “frikë” përmendjen e emrit të Veliajt, pavarësisht se nga ato që shkruhet, kuptohet mjaft qartë se bëhet fjalë për kryebashkiakun e Tiranës.