ERDHI, PA, FITOI! Lulzim Basha i pamposhtur në PD, rezultati si në kohën e Partisë së Punës

Nëse do të marrim parasysh vetëm zgjedhjet brenda Partisë Demokratike, mund të quhet pa frikë “Lulzimi i tmerrshëm”, bazuar në diferencën që ka gjithmonë ndaj kundërshtarëve.

Po flasim për Lulzim Bashën, që sot ka arritur të marrë një nga rezultatet më të thella në garat që janë zhvilluar ndonjëherë brenda Partisë Demokratike. Në zgjedhjet për kreun e ri të kësaj partie, Basha “shkatërroi” kandidatin tjetër, Gjergj Hanin, duke siguruar gati 89.7% të votave, një rezultat që do ta kishte zili edhe Partia e Punës në kohën e Enver Hoxhës.

“Komisioni administroi procesverbalet e dërguara, pasi skanuam të gjitha të dhënat dhe i hodhëm në pasqyrën përmbledhëse, Komisioni hartoi procesverbalin e rezultatit përfundimtar. Bazuar në këto të dhëna, nga 71 degë, rezulton se, kanë pjesë 18052 anëtarë të PD-së, rreth 71%.

Nga 18052, janë gjetur po aq fletë votimi, ku 199 të pavlefshme, 17853 të vlefshme. Nga të cilat Basha ka marrë 16196 vota dhe Hani 1567 vota”, tha Jemin Gjana, kryetari I përhershëm I Komisionit Zgjedhor në PD.

Në një ditë ku transparenca dukej se kishte marrë pushimet e verës, kutitë e votimit u mbushën plot nga mbështetësit e tij, teksa kundërshtari u mjaftua vetëm me pjesëmarrjen, pasi edhe përpara garës nuk kishte kërkuar të vendoste ndonjë komisioner në degët ku u votua.

Tashmë Basha merr zyrtarisht në dorë Partinë Demokratike të vulës, por kjo e fundit ka humbur dhe nuk dihet kur do të rikthehet, edhe pse Jemin Gjana u shpreh se kanë porositur një tjetër. Lulzim Basha pas fitores deklaroi se PD mbetet shpresa e këtij vendi, teksa falenderoi edhe kundërshtarin për pastërtinë e shpirtit.

Por sa është mbështetja e vërtetë për Lulzim Bashën?

Nga 52 deputetë të Partisë Demokratike, kanë votuar vetëm tetë prej tyre. Kreshnik Çollaku, Eralda Bano, Merita Bakiu, Flutura Açka, Orjola Pampuri, Arbi Agalliu, Enkelejd Alibeaj dhe Selaudin Jakupllari janë deputetët që kanë votuar për kreun e ri të PD. Pra, Basha ka vetëm një pjesë shumë të vogël të deputetëve, ndërkohë që duket qartë se 18 mijë votat e pretenduara se u hodhën sot në kutitë e votimit, janë një mashtrim i madh.

Themi se janë mashtrim, pasi nëse Basha do të kishte 18 mijë mbështetës pas vetes, do të arrinte të mbushte një nga sheshet e Tiranës dhe të protestonte ndaj kësaj qeverie që skandalet po i dlain në pah ditë pas dite.

Por nëse Basha ka arritur të fitojë ndaj çdo kundërshtari brenda Partisë Demokratike, e kundërta ka ndodhur jashtë “mureve blu”. Në çdo betejë, “i pamposhturi” i PD-së ka dalë i humbur ndaj Edi Ramës, por gjithmonë ka fajësuar qeverinë për vjedhjen e votave dhe shumë herë edhe KQZ-në. Ndoshta Basha do të donte që në krye të KQZ-së të vendoset Jemin Gjana, beniamini i tij që i sjell gjithmonë fitoren.

Ndoshta kjo është mënyra e vetme që Basha të zgjidhet kryeministër, pavarësisht se do të mbetet vetëm një ëndërr.