Ëngjëll Agaçi, Sekretari i Përgjithshëm i Këshillit të Ministrave është larguar nga detyra.
Lajmi është bërë i ditur këtë të premte, ndërsa nuk dihet nëse ai është dorëhequr apo është shkarkuar.
Raportohet se në vend të tij është emëruar Elsonida Rama, e cila aktualisht mban pozicionin e drejtoreshës së Kodifikimit në Ministrinë e Drejtësisë.
Nuk dihen ende arsyet e largimit të Ëngjëll Agaçit nga kjo detyrë, por kujtojmë se disa kohë më parë, ai u thirr në Prokurorinë e Posaçme ku u pyet për mbi 3 orë në lidhje me inceneratorin e Tiranës.
Po ashtu ai ka dëshmuar në SPAK, edhe për inceneratorin e Elbasanit.
Ëngjëll Agaçi është akuzuar nga opozita si “truri” i inceneratorëve, i cili është marrë me të gjitha dokumentacionet e kësaj afere. Emri i tij u përmend edhe në reportrazhin e televizionit italian RAI 3, ku Agaçi cilësohej si avokati i bosëve të mafias italiane.
“Mund të shohim edhe cili ishte roli i avokatit Agaçi në Itali, që ka qenë avokati i bosëve më të rëndësishëm në Itali, që kanë siguruar një trajtim të veçantë. Kemi zbuluar se ka pasur sinjalizime nga magjistratët dhe antimafia se si bosët e mafies italiane ekstradoheshin me lehtësi në Shqipëri, pavarësisht se në Itali kishin marrë dënime me 20 vite, kur vinin në Shqipëri shlyenin vetëm dy-tre vjet apo ndonjë muaj dhe më pas dilnin të lirë. Kështu që u habitëm kur morëm vesh që avokati i këtyre bosëve ishte Agaçi,” sipas gazetarit të emisionit “Report” në RAI 3, Giorgio Mottola
Ndërkohë gazeta prestigjoze italiane, La Repubblica, një një artikull në Prill të 2024 shkruante se Ëngjëll Agaçi ishte kumbari i marrëveshjes mes Shqipërisë dhe Italisë për emigrantët.