Të shtëna me armë zjarri në Tiranë. Një 29-vjeçar i identifikuar si Gerald Hoxha ka mbetur i plagosur në këmbë.
Ngjarja ka ndodhur në rrugën e Dibrës, në afërsi të spitalit “Nënë Tereza”.
Policia ka identifikuar autorin e dyshuar dhe e ka shpallur në kërkim. Bëhet fjalë për 32-vjeçarin Franci Canaj, i cili në 2016 ka qenë i arrestuar në Itali për drogë dhe prostitucion.
Sipas të dhënave të para të marra në vendngjarje, dyshohet se autori është larguar me mjet tip BMW me ngjyrë jeshile.
Paraprakisht dyshohet se sherri mes tyre ka qenë për motive të dobëta.
Njoftimi i policisë;
Policia identifikon dhe shpall në kërkim një 32-vjeçar që plagosi me armë zjarri një shtetas, mbrëmjen e djeshme, gjatë një konflikti për motive të dobëta.
Specialistët e Sektorit për Krimet e Rënda, në bashkëpunim me shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr. 4, pas marrjes së njoftimit, mbrëmjen e djeshme, se në Rrugën e Dibrës ishte plagosur me armë zjarri një shtetas, kanë shkuar menjëherë në vendin e ngjarjes.
Si rezultat i veprimeve të shpejta hetimore, u identifikua dhe u shpall në kërkim shtetasi F. C., 32 vjeç, i cili dyshohet se, gjatë një konflikti për motive të dobëta me shtetasin G. H., 29 vjeç, e ka qëlluar këtë të fundit në këmbë, me armë zjarri.
Shtetasi G. H. mori ndihmë mjekësore dhe ndodhet jashtë rrezikut për jetën.
Vijojnë veprimet intensive për lokalizimin dhe kapjen e autorit, si dhe për dokumentimin e plotë ligjor të kësaj ngjarjeje.