Policia e Kuçovës ka vënë në pranga 50 vjeçarin Artur Kërçuku lidhur me aksidentin e regjistruar dje ku humbën jetën një çift të moshuarish dhe u plagos vajza e tyre.
Aksidenti ndodhi në zonën e quajtur “Rruga e drejtë e Kuçovës”, ku makina që drejtonte Kërçuku u përplas me një mjet bujqësor, ku udhetonin viktimat dhe vajza e tyre.
Për pasojë, drejtuesi i mjetit bujqësor, Ahmet Kafazi 81 vjeç dhe bashkëshortja e tij, Selushe Kafazi 77 vjeçe, kanë humbur jetën në vendngjarje, ndërsa vajza e tyre ndodhet në spital, jashtë rrezikut për jetën.
Kërçuku ishte shoqëruar menjëherë pas aksidentit, kurse sot u bë edhe arrestimi i tij, për shkelje të rregullave të qarkullimit, me pasojë vdekjen.