EMRI/ Pjesë e një organizate kriminale në Spanjë, 28 vjeçari i shpallur në kërkim ndërkombëtar fshihej në Durrës

Një 28 vjeçar është arrestuar në Durrës, i shpallur në kërkim ndërkombëtar. Në prangat e policisë ka rënë Ilirjan Mici, i akuzuar nga autoritetet spanjolle, si pjesëtar i një organizate kriminale që trafikonte lëndë narkotike .

Gjykata e Madridit i ka caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprat penale “Organizata kriminale”, “Trafikimi i narkotikëve” dhe “Pastrimi i produkteve të veprës penale”, sipas Kodit Penal të Spanjës. Për këto vepra, dënimi maksimal që parashikohet është 26 vjet burgim.

Njoftimi i policisë:

Durrës/Finalizohet operacioni policor i koduar “Ghots”, për kapjen e një shtetasi në kërkim ndërkombëtar.

I akuzuar nga autoritetet spanjolle, si pjesëtar i një organizate kriminale që trafikonte lëndë narkotike, kapet në Durrës dhe arrestohet me qëllim ekstradimin, 28-vjeçari.

Si rezultat i kontrolleve të kryera bazuar në informacionet e siguruara nga inteligjenca policore, për vendndodhjen e një shtetasi në kërkim ndërkombëtar, Shërbimet Operacionale të Drejtorisë Vendore të Policisë Durrës, në bashkëpunim me Seksionin për Hetimin e Narkotikëve, kanë organizuar dhe finalizuar operacionin policor të koduar “Ghost”.

Gjatë këtij operacioni, u kap në Durrës dhe u arrestua me qëllim ekstradimin në Spanjë, shtetasi I. M., 28 vjeç, banues në fshatin Likmetaj, Durrës.

Ky shtetas ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar pasi Gjykata e Madritit, Spanjë, me vendimin e datës 28.12.2023, i ka caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprat penale “Organizata kriminale”, “Trafikimi i narkotikëve” dhe “Pastrimi i produkteve të veprës penale”, sipas Kodit Penal të Spanjës. Për këto vepra, dënimi maksimal që parashikohet është 26 vjet burgim.

Interpol Tirana dhe Interpol Madridi do të kryejnë procedurat për ekstradimin e këtij shtetasi, në Spanjë.