EMRI/ Përdori foton e një të mituri të sëmurë për të vjedhur para, arrestohet 55 vjeçari që mashtroi dhjetëra qytetarë përmes Instagramit

Policia e Tiranës ka vënë në pranga 55 vjeçarin Artur Karati, i cili ka përfituar shuma parash me pretendimin për të ndihmuar një të mitur të sëmurë për kurimin e tij. Sipas uniformave blu, 55 vjeçari përmes një profili fals në Instagram ka mashtruar dhjetëra qytetarë shqiptarë.

Mësohet se 55 vjeçari ka marrë fotografi të marra në internet të një fëmijë të sëmurë, ndërsa janë dokumentuar me prova ligjore 117 transaksione bankare që janë kryer nga qytetarë shqiptarë, të cilët janë mashtruar nga profili fals në Instagram, që kishte hapur Karati.

“Specialistët e Sektorit për Hetimin e Krimeve Kibernetike, në bashkëpunim me Seksionin e Forcës së Posaçme Operacionale, kanë ndaluar shtetasin në kërkim Artur Karati, 55 vjeç, banues në Përmet. Gjithashtu, referuan materialet në Prokurori ku nisi procedimi në gjendje të lirë për shtetasit S. K., 42 vjeç dhe B. I., 47 vjeç, të dy banues në Tiranë.
Shtetasi Artur Karati me anë të mashtrimit kompjuterik të kryer nga një profil fals në rrjetin social Instagram, duke përdorur fotografi të marra në internet, të një shtetasi të mitur të sëmurë, ka përfituar shuma parash nga shtetas të ndryshëm, me pretendimin se do të përdoreshin për kurimin e të miturit. Nga veprimet paraprake janë dokumentuar me prova ligjore 117 transaksione bankare që janë kryer nga shtetas shqiptarë, të cilët janë mashtruar nga profili fals në Instagram
” thuhet në njoftimin e policisë.