EMRI/ Pas “furtunës” në Policinë e Shkodrës, komandohet drejtori i ri

Gentian Berberi do të jetë drejtori i ri i Policisë së Shkodrës, pas shkarkimit të Fatmir Lleshit. Berberi aktualisht mban postin e Drejtorit të Policisë së Kukësit ndërsa më herët ka qënë zëvendësdrejtor për Hetimin e Krimeve në Lezhë.

Kupola drejtuese e Policisë së Shkodrës është shkarkuar ditën e sotme nga detyra, ndërsa mësohet se shkak janë bërë ndërtimet pa leje në fshatin turistik të Thethit, ku një aksion për lirimin e hapësirave publike po vijon prej disa ditësh.

Aksioni i IKMT në Theth është shoqëruar me tensione mes policisë dhe banorëve. Këtë të fundit kanë kërkuar që t’u jepet kohë për ekzekutimin e vendimeve të prishjes së objekteve, konkretisht pas përfundimit të sezonit veror.

Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Ilir Proda njoftoi sot po ashtu shkarkimin nga detyra të shefit të komisariatit të Shkodrës dhe Shefi i Stacionit të Thethit.