EMRI/ Mori 2 mijë euro ryshfet për legalizimin e një banese, dënohet ish-punonjësi i Kadastrës në Fier

Gjykata e Posaçme ka dhënë sot vendimin për ish-punonjësin e Kadastrës në Fier, i akuzuar për korrupsin dhe dy qytetarëve të tjerë, që i dhanë para në këmbim të dokumenteve të legalizimit.

Togat e zeza dënuan me tre vite burg Endri Ngresi, i cili akuzohet se mori 2 mijë euro për legalizimin e një banese ndërsa iu hoq e drejta për të ushtruar funksione publike për 5 vite.

I pandehuri Ardjan Kumanaku u dënua me 1 vit burg, ndërsa Afërdita Vidhi u shpall fajtore për korrupsion, por u përjashtua nga dënimi.

NJOFTIM PËR MEDIAT

1.         Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka paraqitur pranë Gjykatës kërkesën me objekt: “Gjykimin e çështjes penale që i përket procedimit penal nr.17/2024, në ngarkim të të pandehurve Endri Ngresi, Ardjan Kumanaku dhe Afërdita Vidhi.”.

2.         Gjykimi i kësaj çështje u zhvillua me rregullat e gjykimit të zakonshëm. Në përfundim të gjykimit, Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar me trup gjykues të përbërë nga gjyqtarët Flojera Davidhi, Erjon Bani dhe Erjon Çela, me vendimin Nr. 54, datë 30.07.2025 vendosi:

3.         Deklarimin fajtor të të pandehurit Endri Ngresi për kryerjen e veprës penale “Korrupsioni pasiv i personave që ushtrojnë funksione publike” parashikuar nga neni 259, paragrafi i dytë i K.Penal dhe dënimin e tij me 3 (tre) vjet burgim.

4.         Vuajtja e dënimit për të pandehurin Endri Ngresi do të fillojë nga dita e zbatimit të masës së sigurimit “arrest në shtëpi” dhe të kryhet në një burg të sigurisë së zakonshme.

5.         Në zbatim të nenit 35, paragrafi i parë të K.Penal, heqjen e së drejtës për të ushtruar funksione publike për një periudhë prej 5 (pesë) vjetësh.

6.         Deklarimin fajtor të të pandehurit Ardjan Kumanaku, për kryerjen e veprës penale “Korrupsioni aktiv i personave që ushtrojnë funksione publike” e kryer në bashkëpunim, parashikuar nga neni 244, paragrafi i dytë dhe 25 të K.Penal dhe dënimin e tij me 1 (një) vit burgim

7.         Vuajtja e dënimit për të pandehurin Ardjan Kumanaku do të fillojë nga dita e ekzekutimit të vendimit gjyqësor dhe të kryhet në një burg të sigurisë së zakonshme.

8.         Deklarimin fajtore të të pandehurës Afërdita Vidhi, për kryerjen e veprës penale “Korrupsioni aktiv i personave që ushtrojnë funksione publike” e kryer në bashkëpunim, parashikuar nga neni 244, paragrafi i dytë dhe 25 të K.Penal.

9.         Përjashtimin e të pandehurës Afërdita Vidhi nga dënimi, sipas parashikimit të nenit 52/a të K.Penal.

10.       Në zbatim të nenit 190, pika 1 të K.Pr.Penale, telefoni celular i markës “Samsung Galaxy A10”, bashkuar me procedimin në bazë të urdhrit “Për bashkimin e provës materiale”, datë 27.01.2025, t’i kthehet përdoruesve të tij, shtetasve Afërdita Vidhi dhe K.V.