EMRI/ Megaoperacioni me autoritetet italiane, SPAK arreston oficerin e Antiterrorit

Detaje të reja janë mësuar në lidhje me operacionin anti-drogë të zhvilluar mes Prokurorië së Breshias dhe SPAK.

Mësohet se pjese e këtij rrjeti ndërkombëtar të trafikut të drogës është edhe oficeri i Antiterrorit, Igli Haxhiaj, ndaj të cilit rëndojnë disa akuza si: nxjerrje të sekretit hetimor, korrupsion dhe shpërdorim detyre.

Në total gjatë këtij aksioni janë lëshuar 24 urdhër-arreste, ku 10 janë ekzekutuar në Breshia. Ndërkohë sipas të dhënave të deritanishme, në Shqipëri është arrestuar Haxhiaj.

Sipas hetuesve, grupi me bazë operative në Shqipëri dhe me degëzime në Itali, dyshohet se ka trafikuar kokainë nga Amerika e Jugut duke shfrytëzuar rrugë tregtare që kishin si destinacion portet e mëdha të Europës Veriore. Droga më pas transportohej drejt Italisë me kamionë, e fshehur brenda mjeteve të rënda.

Gjatë operacionit janë sekuestruar afro 3 milionë euro, ndërsa nga shitja e drogës ky grup përllogaritet të ketë fituar 12 milionë euro.