Policia e Tiranës ka vënë në pranga autorin e grabitjes që u regjistrua një ditë më parë në një supermarket në Tiranë.
I arrestuari është Elkjer Tafçiu, i cili ishte i maskuar u fut në supermarket, kapërceu banakun dhe nën kërcënimin e thikës i mori punonjëses xhiron ditore. Kjo e fundit gjatë tentativës për ta ndaluar atë u plagos me thikë në dorë. Ajo mori mjekim dhe më pas u largua nga spitali.
Sa i takon autorit, ai është me precedent penal për vjedhje me dhunë.
Njoftimi i policisë:
Tiranë
Finalizohet operacioni policor i koduar “Intervent”.
Identifikohet, kapet dhe vihet në pranga 40-vjeçari që vodhi një shumë parash dje, në një market në Yzberisht, duke kanosur punonjësen, me thikë.
I arrestuari, me precendent penal për vjedhje me dhunë.
Shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr. 6, në vijim të veprimeve intensive hetimore të kryera për zbardhjen e vjedhjes së kryer dje, në kërcënimin e thikës, në një market në Yzberisht, organizuan dhe finalizuan operacionin policor “Intervent”.
Si rezultat i operacionit u identifikua, u kap në Rrugën e Qelqit dhe u vu në pranga autori i dyshuar i vjedhjes, shtetasi E. T.(T), 40 vjeç, banues në Tiranë.
Punonjësja e marketit që u dëmtua në dorë, nga thika që mbante autori, në tentativë për ta ndaluar atë, mori mjekim dhe u largua nga spitali.
Materialet procedurale do t’i kalojnë Prokurorisë, për veprime të mëtejshme.