EMRI/ Arrestohet në Tiranë një person me rrezikshmëri të lartë shoqërore

Një 42-vjeçar me rrezikshmëri të lartë shoqërore është vënë në prangat e policisë së Tiranës. I arrestuari është Fatjon Lika, i cili akuzohet se ka grabitur 10 mijë euro në një studio ligjore në bashkëpunim me një çift bashkëshortësh.

Gjykata e Tiranës i ka caktuar Likës masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprën penale “Vjedhja”, me pasoja të rënda, e kryer në bashkëpunim.

Njoftimi i policisë:

Finalizohet nga Seksioni për Hetimin e Krimeve të Rënda, në bashkëpunim me Komisariatin e Policisë Nr. 2, operacioni policor “Kodi”, për kapjen e një shtetasi me rrezikshmëri të lartë shoqërore në fushën e krimeve kundër pasurisë.

Vodhi një shumë të konsiderueshme parash në një studio ligjore në bulevardin “Gjergj Fishta”, 2 vjet më parë, lokalizohet dhe kapet 42-vjeçari.

Në kuadër të operacionit “Kodi”, si rezultat i kontrolleve në bazë të informacioneve të siguara në rrugë operative, u mundësua lokalizimi, kapja dhe ndalimi i shtetasit të shpallur në kërkim, E.(F.) L., 42 vjeç.

Gjykata e Tiranës i ka caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprën penale “Vjedhja”, me pasoja të rënda, e kryer në bashkëpunim.

42-vjeçari akuzohet se bashkë me bashkëshortët A. Rr dhe E. Rr., në vitin 2023, ka vjedhur rreth 10 000 euro në një studio ligjore, në bulevardin “Gjergj Fishta”.

Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë së Tiranës, për veprime të mëtejshme.