EMRI/ 54 vjeçarit në Fier i hyjnë në shtëpi për ta vjedhur, e dhunojnë dhe ikin duarbosh

Një ngjarje e rëndë ka ndodhur në orët e para të mëngjesit të sotëm në fshatin Baltëz të Fierit, ku një 54 vjeçar është dhunuar në shtëpinë e tij.

Disa persona ende të paidentifikuar kanë hyrë në shtëpinë e Sokol Bajgoras për të vjedhur, por pasi nuk kanë gjetur gjë, e kanë dhunuar dhe janë larguar duarbosh.

54 vjeçari është dërguar në spital, ku ka marrë ndihmën mjekësore, teksa mësohet se është jashtë rrezikut për jetën. Policia ka shoqëruar disa persona, ndërsa është ngritur një grup hetimor nën drejtimin e Prokurorisë për zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes.

Njoftimi i Policisë:

Në orët e para të mëngjesit të sotëm, në fshatin Baltëz, shtetas ende të paidentifikuar kanë hyrë për të vjedhur në banesën e shtetasit S. B., 54 vjeç, ku kanë ushtruar dhunë ndaj 54-vjeçarit dhe nuk kanë vjedhur asgjë.

Për shkak të dëmtimeve, shtetasi S. B. po merr asistencë mjekësore, në spital, dhe është jashtë rrezikut për jetën.

Në vijim të veprimeve hetimore dhe procedurale për rastin, janë shoqëruar në Komisariatin e Policisë Fier, disa shtetas që po merren në pyetje, me qëllim zbardhjen e ngjarjes.

Gjithashtu, është ngritur një grup i posaçëm hetimor, i cili vijon punën intensive, në drejtimin e Prokurorisë, për zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes, si dhe për identifikimin dhe kapjen e autorëve.