Zbardhen detaje nga ngjarja e rëndë në Mat, ku një 23-vjeçar u gjet i pajetë pranë Liqenit të Shkopetit. Babai i të riut kishte bërë kallëzim në polici se djali i tij ishte zhdukur pasi nuk ishte kthyer në banesë.
Pas disa orësh kërkime, policia gjeti trupin e pajetë të 23-vjeçarit pranë liqenit të Shkopetit, ndërsa automjeti i tij dyshohet se ka rënë në liqen.
Uniformat blu në njoftimin e tyre nuk saktësojnë shkakun e vdekjes së 23-vjeçarit.
Dyshohet se i riu Renis Dobra është rrëmbyer të martën dhe është vrarë. Ndërkohë një grup i posaçëm hetimor është ngritur për të zbardhur rrethanat e ngjarjes.
“Mbrëmjen e djeshme, është paraqitur në Komisariatin e Policisë Mat, shtetasi R. D., i cili ka kallëzuar se djali i tij, shtetasi R. D., 23 vjeç, nuk ishte kthyer në banesë.
Shërbimet e Policisë kanë nisur menjëherë kërkimet për gjetjen e 23-vjeçarit. Pas disa orësh kërkime, shërbimet e Policisë kanë gjetur trupin e pajetë të 23-vjeçarit, pranë liqenit të Shkopetit, ndërsa automjeti i tij dyshohet se ka rënë në liqen”, njoftojnë blutë.