EMRAT/ Tjetërsimi i pronave, Prokuroria aksion në Kadastrën e Durrësit, lëshon 2 urdhër arreste dhe një arrest në shtëpi

Prokuroria e Durrësit ka nisur një aksion në Kadastrën e qytetit bregdetar teksa mësohet se ka lëshuar dy urdhër-arreste dhe një arrest shtëpie.

Mësohet se aksioni i Prokurorisë është bërë për tjetërsim të pronave.

Prokuroria ka kërkuar arrest me burg për ish punonjësin e Kadastrës Bled Zerba dhe nje shtetasi që ka përfituar tokën përmes tjetërsimit. Ndërsa masa arrest shtëpie është lëshuar për juristen e Kadastrës së Durrësit Jonida Mergeja.

E akuzuar është edhe një notere, për të cilën është kërkuar pezullimi i licencës.

Mësohet se është ekzekutuar vendimi për juristen Jonida Mergeja (arrest shtepie) dhe përfituesin Ndue Mesiti (arrest me burg), ndërsa pritet të ekzekutohet vendimi dhe për ish-punonjësin e Kadastrës Bled Zerba, i shpallur në kërkim

Nga hetimet paraprake bëhet me dije se leja e legalizimit është plotësuar jashtë zyrës se ish- ALUIZNI-it në emër të përfituesit Ndue Mesiti dhe është aplikuar për regjistrim nga notere Albana Hoti. Jonida Mergeja, juristja që ka kryer veprimet, dyshohet se e ka dhënë dorazi kartelën e pasurisë, po nëpërmjet sistemit ka lëshuar kthim përgjigje.

Noterja në bashkëpunim me personin tjetër, ish-punonjës i Kadastrës, masa e te cilit është në ekzekutim e sipër akuzohen se kanë rregulluar nëpërmjet fotoshopit firmën dhe vulën elektronike duke ia vënë në dispozicion qytetarit.

Njëkohësisht leja e legalizimit është marrë dorazi bosh nga një drejtori tjetër dhe si numër serie nuk i përket fare drejtorisë së Durrësit dhe nuk është administruar asnjëherë nga ish- ALUIZNI Durrës.